Arbëri

Ish-presidenti Sejdiu tregon se a do t’ia mësyjë të parit të LDK-së

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka folur për ngecjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, mos-liberalizimin e vizave, ikjen e qytetarëve nga Kosova e zgjedhjet e parakohshme që duket se janë të pashmangshme. Flet edhe për zgjedhjet e brendshme në LDK, e thotë se ka shprehur gatishmëri për të kandiduar.

“Këto nuk janë tema që zgjidhen lehtë, sepse disa prej tyre janë tema që kanë nisur shumë herët. Nëse marrim çështjen e dialogut, është një çështje që s’ka marrë rrugë të mbarë sepse realisht është nisur mbrapshtë e pa e ditur objektivin final, që duhet të ishte nevoja e relaksit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë e assesi në tema që hapin çështje statusore”, thotë Sejdiu.

Sejdiu: Ideja e goditjes së territoreve është e Qosiqit

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu, në Intervistën e Javës në Koha.net tha se këto tema ndikojnë në qenien e Kosovës, duke pasur parasysh goditjen që Serbia e ka bërë me pretendime ta tregojë Kosovën si vend të paqëndrueshëm e një vend që gjeneron kriza për veten e të tjerët.

Thotë se sa i përket dialogut, ka pasur gjithnjë rezerva, por që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, kur është hapur një ide me porosi, mbase, siç tha ai, edhe testuese të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, me 6-pikëshin e famshëm, thotë se ka qenë kundër.

“Deri sot, nuk kemi formulë se çka dëshirohet realisht nga ky dialog. Përmenden vazhdimisht çështje të ndjeshme për Kosovën. Presidenca, Kuvendi, e çdo institucion tjetër duhet ta respektojë Kushtetutën, duhet ruajtur integriteti i vendit dhe asnjëherë të mos vihet në tip të bisedave që kemi parë deri tani. Realisht, ideja për këmbim territoresh, apo goditjes së territoreve, është e Dobrica Qosiqit”, tha Sejdiu.

Se Serbia s’do të marrë pjesë në dialog pa u hequr taksa e vënë ndaj produkteve të tyre, Sejdiu e ka quajtur vetëm shkas për të imponuar formulat që ajo i dëshiron, pasi atë, taksa realisht nuk e pengon.

“Taksa ka bërë efektin e vet. Por, ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës t’i ketë parasysh edhe sugjerimet e mira të miqve të mirë të Kosovës sepse duhet bërë edhe një analizë paralele se çka ka ndodh në efekte tjera, sepse ka të dhëna se është hapur një tip i kontrabandës”, tha Sejdiu.

Në Samitin e Berlinit, që do të mbahet brenda pak ditësh, Sejdiu thotë se aty s’mund të pritet ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por mund të jetë vetëm një kontribut në trajtim.

E ka vlerësuar rolin e kancelares gjermane Angela Merkel, për këmbënguljen e saj në çështjen e sovranitetit të Kosovës. Ndërkaq, ka folur edhe për rolin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

“Edhe nëse ka pasur qëllim të mirë, nuk ka arritur të kryejë si duhet pjesën e objektivit të saj. Nuk ka arritur të përmbyll këtë objektiv, mbase edhe personal”, tha ai.

Sejdiu: Liberalizimi s’do të ndodhë para 2020-ës

Sejdiu në Intervistën e Javës në Koha.net, ka folur edhe për mos-liberalizimin e vizave. Është shprehur i bindur se liberalizimi s’do të ndodhë para vitit 2020.

“Kam një prognozë që liberalizimi i vizave s’do të ndodhë para vitit 2020, kjo në bazë të informacioneve që kam. Papunësia, mos-liberalizimi, janë tipa të trembjes, sidomos të të rinjve, që po ikin nga Kosova’’, u shpreh Sejdiu.

Sejdiu: Ka çalime në diplomacinë kosovare

Fatmir Sejdiu, kur ka folur për diplomacinë kosovare, ka thënë se ka çalime.

“Diplomacia nuk ndërtohet me rrahje gjoksi, si, e bëra këtë njohje e e shpëtova këtë mos-njohje. Por, në fakt, unë i besoj stagnimit. Kur unë kam përfunduar mandatin kanë qenë mbi 70 njohje dhe sa njohje kanë pasuar më vonë?”, ka thënë Sejdiu.

Ka folur edhe për Qeverinë aktuale në krye me Ramush Haradinajn. Thotë se është shumë e vështirë të mbahet një Qeveri me kaq pak vota, sa ka kjo aktualja.

“1 apo 2 vetë mund të luajnë me fatin e Qeverisë dhe mund ta shtrëngojnë në njëfarë mënyre. E gjejnë orën e ligë të partnerit në koalicion dhe e shtrëngojnë. Zgjedhjet shikohen edhe si pjesë e alternativës. As opozita s’i ka votat për ta rrëzuar qeverinë e për të shkuar vendi në zgjedhje, por fundi fundit është e sinqertë”, tha Sejdiu.

Sejdiu tregon se a do t’ia mësyjë të parit të LDK-së

Ish-presidenti Sejdiu, njëherësh edhe ish-kryetar i LDK-së, ka folur edhe për zgjedhjet e brendshme në LDK që do të mbahen së shpejti.

Ka thënë se është proces që ka filluar ende pa u shpallur. Por, ka treguar edhe a do të kandidojë për të parin e kësaj partie.

“Deri tash është marrë vetëm një vendim në kryesi, është selektiv. Shpresoj të ketë një depërtim të ri. Po, unë kam shprehur gatishmërinë time për të kandiduar. Por, kur të jetë momenti do t’i analizojë të gjitha rrethanat”, tha Sejdiu.