1 perditesime
11:05

Studentët bllokojnë hyrjen e Fakultetit të Arteve, kërkojnë ndërtimin e objektit të ri

Për dy orë Parlamenti Studentor dhe Këshilli i Studentëve të Fakultetit të Arteve të UP-së, kanë bllokuar hyrjen e kësaj njësie akademike, ku kanë kërkuar që të shkarkohet bordi drejtues i UP-së dhe kanë kërkuar që të ndërtohet objekt i ri për Fakultetin e Arteve.

Studentët kanë protestuar duke thënë se kushtet në të cilat studiojnë janë shumë të vështira. Ata thonë se mundojnë hapësirat adekuate, materiale dhe shumë gjëra të tjera për punën praktike që bëhet aty. Po ashtu, ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për heqjen e akreditimit të shumicës së programeve.

Në rast të mos plotësimit të kërkesave të tyre, studentët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë që përmes protestave të kërkojnë plotësimin e tyre.

Nga Parlamenti Studentor, Edison Bibaj, ka thënë se kërkesat e studentëve asnjëherë nuk janë marrë seriozisht nga menaxhmenti i UP-së.

“Sot përfaqësuesit e Fakultetit të Arteve po e bllokojnë këtë njësi akademike siç e kemi paralajmëruar edhe më herët prej padrejtësive dhe mos shqyrtimi i ankesave tona dhe kemi dal që t'i bllokojmë, e kemi pa si të vetmen rrugë. Një gjë që duhet cekur për Fakultetin e Arteve është edhe akreditimi në këtë njësi akademike, gjë që këtë vit Agjencia e Akreditimit nuk i ka akredituar drejtimet si aktrim bachelor, arte aplikative bachelor, arte vizuele bachelor, dizajn, skenë dhe kostumografi bachelor, dramaturgji bachelor dhe master, regji filmi dhe televizion bachelor. Siç shihet shumica prej fakultetit tonë nuk është akredituar për vitin e ardhshëm dhe kjo është shqetësuese”, tha ai, raporton ksp.

Ndërkaq, Labeat Bytyçi, student i Fakultetit të Arteve dega e aktrimit, ka thënë se objekti në të cilin vijojnë mësimet nuk i plotëson as kushtet minimale.

“Ideja që jemi këtu ky numër i konsiderueshëm i studentëve është për një objekt të ri i cili na shërben neve studentëve për mbarëvajtjen e lëndëve mësimore, ligjëratave, provave dhe ushtrimeve të ndryshme. Ky objekt që shihet prapa nuk i plotëson kushtet të cilat studentët i kërkojnë, po ashtu edhe ato kushte që janë nuk janë të mjaftueshme për shkak që siç shihet edhe mbrapa karriget janë shumë të dëmtuara, bankat, muret, dritat, dyshemeja. Këtu në Fakultetin e Arteve nuk plotësohen kushtet elementare, po ashtu ky objekt nuk është i dedikuar për Fakultet të Arteve po ka qenë i shfrytëzuar prej kishës ortodokse dhe as nuk ka qenë i projektuar dhe as i planifikuar për Fakultet të Arteve”, deklaroi ai.

Ai ka folur edhe për mungesën e materialeve shpenzuese, ku ka thënë se studentët detyrohen që të paguajnë për materiale që do të duhej t’i siguronte fakulteti.

“Materialet shpenzuese ia vlen të ceket që është tek lënda kryesore pikturë është 15 euro për një pikturë e cila duhet të bëhet çdo javë. Është lëndë obligative dhe piktura është obligative, e cila duhet për çdo javë të bëhet nga një pikturë me vlerë 15 euro. Për një vit një student shpenzon 450 euro për pikturë, vetëm për lëndën kryesore. Kjo pagesë është shumë e lartë për studentët”, tha ai.

Parlamenti Studentor ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të vazhdojnë me bllokimin e njësive të tjera akademike, derisa vetëm dy ditë më herët e kanë bllokuar hyrjen e Rektoratit të UP-së.

Ankesat e studentëve janë këto:

-Hapësirat jo adekuate për studentët

-Mungesë të karrigeve

-Ndriçimit

-Mos shqyrtimi i kërkesave të Këshillit Studentor

-Keqpërdorimi i mbarëvajtjes përgjatë ligjëratave nga ana e profesorëve

-Muret të njollosura dhe të dëmtuara

-Mos siguri për veprat të cilat realizohen nga studentët “mungesë të kamerave”

-Demolimi i parketëve në të gjitha klasat, veçanërisht në klasat e aktrimit ku ata janë të obliguar të bëjnë ushtrime për shfaqjet e tyre.

-Profesorët të cilët nuk i mbajnë ligjërata dhe i obligojnë studentët që të i nënshkruajnë listat për mbulimin e tyre vetëm që mos t’i ndalohet pagesa nga UP-ja.

Kërkesat e studentëve janë këto:

1-Studentët të kenë objekt të ri që projektohet për veprimtarinë e cila studiohet në këtë njësi akademike si:

a) Salla të teatrit

b) Salla të Koncerteve

c) Salla të Atelieve me ndriçim adekuat.

2- Kërkesat që janë drejtuar dhe do të drejtohen të shqyrtohen nga menaxhmenti i Fakultetit dhe menaxhmenti i Universitetit gjë që janë kërkesa bazike.

3- Të ndalohet ndërhyrja partiake brenda përbrenda fakultetit mbi të gjitha universitetit në tërësi e jo të kemi udhëheqës të organave më të larta në UP të manipuluar dhe që të vetmin qellim në punën e tyre kanë të përfaqësojnë Partitë Politike dhe jo interesin e Universitetit.

-Këshilli Studentor i Fakultetit të Arteve të Bukura Mbështet fuqishëm Parlamentin Studentor për Iniciativat që është duke vepruar kundër politizimit në UP dhe për kushtet brenda njësive akademike.

08:29

Studentët e UP-së paralajmërojnë bllokimin e Fakultetit të Arteve

Parlamenti Studentor së bashku me Këshillin e Studentëve të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, për sot nga ora 8:20 tek objekti i Dekanatit, kanë paralajmëruar se do të bllokojnë Fakultetin e Arteve të UP-së, për të kundërshtuar Bordin Drejtues dhe Menaxhmentin e UP-së.

Sipas tyre, këtë po do ta bëjnë sepse nuk u morën seriozisht asnjëherë kushtet tejet jo të mira në këtë fakultet, ku sipas tyre mungojnë shumë hapësirat adekuate, materiale dhe shumë gjëra të tjera për punën praktike që bëhet aty.

Ata kanë shprehur shqetësimin edhe për heqjen e akreditimit të shumicës së programeve.

“Ne po fillojmë që ta shprehim pakënaqësinë tonë me bojkotim të procesit mësimor nga Fakulteti i Arteve i cili ka mungesë të theksuar të kushteve elementare, sot paralajmërohen Bordi dhe Menaxhmenti i UP-së se do të bllokohet vetëm njëra njësi akademike e më pas do të vazhdojmë në javën që vjen me dy fakultete të tjera deri në bllokimin e të gjitha njësive akademike”, thuhet në njoftimin e Parlamentit Studentor.