Nesër dihet ‘fati’ i kandidatëve për kryetar në komunat e veriut Foto: Koha

Nesër dihet ‘fati’ i kandidatëve për kryetar në komunat e veriut

22 April 2019 14:24

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër do të vendos rreth subjekteve politike dhe kandidatëve për kryetar që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme, në katër komunat e veriut.

Anëtarët e KQZ-së, në mbledhjen e fundit kanë kërkuar që të shikohet me kujdes i gjithë aplikacioni i Listës Serbe, dhe kandidatëve të saj, të cilët edhe pse kanë dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarëve në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të njëjtit kanë aplikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen më 19 maj.

Ata madje kanë ngritur shqetësimin e kandidimit nga të dorëhequrit, duke kërkuar që të shikohen pjesa ligjore dhe kushtetuese e këtyre kritereve të përcaktuara me ligj.

Nesër fillimisht do të prezantohen rekomandimet nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike, ndërsa, më pas i mbetet anëtarëve të KQZ-së që të vendosin për subjektet politike apo kandidatët që mund të marrinë ose jo pjesë në zgjedhje.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se Zyra për Regjistrim të Partive Politike, është në përgatitje të rekomandimeve.

“Aktualisht zyra për regjistrim të partive politike dhe certifikim është në përgatitje e sipër të rekomandimeve në lidhje me subjektet politike dhe kandidatët që kanë aplikuar për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 19 majit në këto katër komuna. Rekomandimet e zyrës do të paraqiten në mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila është planifikuar të mbahet gjatë ditës së nesërme, pra të martën. Se cila do të jetë përmbajtja e rekomandimeve lidhur me këto aplikime do të bëhet e ditur në mbledhjen e KQZ-së, pastaj janë anëtarët e KQZ-së që do të vendosin për këtë çështje”, tha ai.

Por edhe pse certifikimi nuk është bërë sot, ashtu edhe siç ishte paraparë, Elezi shprehet i bindur se nuk do të ketë ndonjë ndikim në afatet tjera, të cilat janë të miratuara me planin operacional nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nga data 9 prill ka filluar edhe afati për dorëzimin e kërkesave për akreditim të vëzhguesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, mirëpo, ende askush nuk ka aplikuar për të vëzhguar këto zgjedhje.

“Deri më tani, në këto momente që po flasim, nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e ndonjë organizate qoftë nga shoqëria civile, pastaj edhe nga ndonjë shtëpi mediatike për t’u akredituar si vëzhguar për të përcjellë procesin zgjedhor. Jo vetëm në ditën e zgjedhjeve por edhe procesi pastaj që zhvillohen në qendrën e numërimit dhe rezultateve. Afati për aplikim për t’u akredituar si vëzhgues, do të përmbyllet me datën 12 maj”, tha ai.

Valmir Elezi ka inkurajuar të gjitha subjektet politike dhe organizatat për të aplikuar si vëzhgues, për pjesëmarrje gjatë procesit zgjedhor dhe numërimit të votave.

Ai mes tjerash tha se KQZ është duke kryer të gjitha përgatitjet në bazë të planifikimeve, duke thënë se janë të gatshëm për këto zgjedhje të cilat do të mbahen më 19 maj.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para pak ditësh ka shpallur zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri të Mitrovicës, që kishin dhënë dorëheqje, pasi në Qeveri të Kosovës ishte marrë vendimi për taksën prej 100 për qind për produktet serbe e boshnjake.

Në këto zgjedhe përveç Listës serbe do të marrë pjesë edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme