Arbëri

Matoshi: Kosova vendi më i varfër në Evropë për ujë, së shpejti ndërtohen rezervarët

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, në Intervistën e Javës në Koha.net ka folur për mungesën e ujit të pijshëm në Kosovë, për cilësinë e ajrit, mbeturinat e shumta që po prishin imazhin e shtetit dhe për trajtimin e ujërave të zeza.

Matoshi thotë se padrejtësisht, të gjitha këto me vite të tëra janë neglizhuar nga shoqëria e nga vet institucionet.

“Kur ka nisur aksioni i pastrimit më 15 shtator, e kam ditur se Kosova nuk mund të pastrohet me vetëm një aksion. Fushata e fundit me 3 muaj pastrim, pati dy qëllime, një që të ndikojmë në vetëdijesimin e qytetarëve për të jetuar në ambient të pastër dhe sado pak të pastrojmë gjendjen e rënduar”, tha Matoshi.

Ministri i MMPH-së, në Intervistën e Javës në Koha.net pranon se Kosova vazhdon të mbetet e pa pastruar, porse ka angazhim më të thelluar se vitet paraprake. Në tërë Kosovën, megjithëse janë pastruar rreth 900 deponi ilegale, vazhdojnë të mbeten diku edhe mbi 600 tjera. Deri tani, Matoshi thotë se janë shpërndarë rreth 700 gjoba.

“Më e keqja është që këto deponitë që kemi pastruar, janë rikthyer përsëri në deponi. Masa e gjoba po marrim çdo ditë. Tani në fuqi kemi edhe ligjin për gjoba mandatore. Në këtë periudhë kemi shpërndarë rreth 700 gjoba të cilat sigurisht se nuk janë shumë”, tha ai.

Ministri Matoshi, thotë se në kuadër të pastrimit të Kosovës, në javën e ardhshme do të shpërndahen 500 shporta dhe 500 kontejnerë nëpër komuna.

Përmend faktin se Kosova eksporton mbeturina përmes Malit të Zi dhe Maqedonisë, gjë që Kosova kurrë nuk e ka menduar t’i shfrytëzojë vet mbeturinat e veta.

“Jam duke diskutuar me Qeverinë dhe akterë tjerë brenda ministrisë, që këtë vit, t’i gjendet zgjidhja mbeturinave. Ta zëmë, nëse ecim nëpër Kosovë s’mund të shihni në mbeturina hekur, sepse njerëzit hekurin nuk e gjuajnë por e shesin. Nëse të njëjtën arrijmë ta bëjmë edhe me plastikën e mbeturina tjera atëherë do të pastrohet vendi. Do të gjejmë zgjidhjen ose përmes riciklimit, ose me inseratorë”, thotë ai.

Thotë se Kosova deri tash, nuk e ka paraparë që prej mbeturinave të prodhojë energji ose ngrohje qendrore, prandaj këtë vit do të përcaktohet për këtë çështje.

Matoshi: Kosova vendi më i varfër në Evropë për rezerva ujore

Matoshi flet edhe për mungesën e ujit të pijshëm në Kosovë.

“Kosova është dukshëm vendi më i varfër në Evropë për rezerva ujore për kokë banori. Është kërkesë urgjente që vendi të ketë rezerva ujore. I kam shkruar Bankës Botërore dhe kam marrë përgjigje pozitive. Jemi në fazë përfundimtare për të nisur ndërtimin e një rezervari të ri në Kremenatë të Kamenicës. Pastaj po bëjmë studime për një rezervar tjetër në Suharekë. Kemi studime edhe për një tjetër afër Shtimes, një tjetër për të cilin fondet i kemi të destinuara nga Hungaria për në Drenas”, tha Matoshi.

Matoshi: Në Kosovë trajtohen vetëm 5 për qind të ujërave të zeza

Ministri i MMPH, Fatmir Matoshi, ka folur edhe për trajtimin e ujërave të zeza. Thotë se në Kosovë, sot trajtohen vetëm 5 për qind prej tyre.

“Nuk duhet ta mbajmë fshehtë këtë që në Kosovë sot trajtohen vetëm 5 për qind të ujërave të zeza që është jashtëzakonisht pak. Prej tyre që po trajtohen janë pranë liqeneve akumuluese. Gjatë këtij viti, do ta fusim në funksion impiantin e ujërave të zeza në Batllavë, Orllan”, tha Matoshi.

Ministri i këtij dikasteri, ka folur edhe për impiantin në Prishtinë i cili do të trajtonte ujërat e zeza. Thotë se problem për ngecjen e ndërtimit të këtij impianti, është çështja e kolektorëve.

“Impianti parashihet të ndërtohet në Fushë Kosovë, mbulon Prishtinën dhe rrethinën. Jemi duke diskutuar për kolektorët, kjo arrihet vetëm nëse kolektorët lidhen me gjithë Prishtinën. Nëse arrihet të ndërtohet, do të jetë projekti më kapital për Kosovën. Nëse nuk ndodh, fajtor jemi ne sepse kredia për të veç është ratifikuar, pra fondet janë siguruar nga Franca. Për kolektorët po diskutojmë me Gjermaninë dhe Zvicrën”, thotë Matoshi, duke shtuar se edhe në Pejë, janë gati në nisje të ndërtimit të një impianti, e në Prizren, një e tillë është në përfundim. Gjithashtu në Gjilan e Ferizaj, thotë se janë në diskutime për të nisur ndërtimin e tyre.

Matoshi: Laurat po vendosen me qëllim të ruajtjes së bukurive natyrore

Në fund të Intervistës së Javës në Koha.net, ministri Fatmir Matoshi ka folur edhe për laurat që po vendosen në hyrje të parqeve. Një në Grykën e Rugovës u kundërshtua nga banorët. Matoshi tha se vendosja e tyre është shumë e rëndësishme për shkak të degradimeve që njerëzit po ua bëjnë bukurive natyrore.

“Vitet e fundit ka prerje enorme të drunjve, ka ndërtime ilegale. Laurat kanë për qëllim ruajtjen e pyjeve, materialet ndërtimore s’do të mund të hyjnë brenda parqeve pa kaluar në laurë dhe do të ndalohet gjuetia ilegale”, tha Matoshi.

Por, vënia e tyre dhe taksa që mund të bëhet, sipas Matoshit, kryesisht bëhet për turistë e vizitorë.

“Asnjë banorë, asnjë pronar as familjarë nuk do të paguajë. Taksa për të tjerët, mund të jetë 1 euro, që ato të shfrytëzohen për mirëmbajtjen e parqeve”, tha ministri Matoshi.