Arbëri

Prej 6 muajsh zvarritet emërimi i drejtorit të Agjencisë së Akreditimit

Foto: Koha

Tash e gjashtë muaj ka mbetur pezull emërimi i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), institucion i themeluar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Ndonëse në muajin tetor të vitit të kaluar Ministria e Administratës Publike e ka publikuar listën me 3 emrat potencialë për këtë pozitë, MASHT-i ende nuk e ka proceduar rekomandimin për drejtor të kësaj agjencie, shkruan sot Koha Ditore.

AKA-ja këtë vit i është nënshtruar një vlerësimi nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), të cilët do të vlerësojnë për progresin dhe ngecjet e Agjencisë.

Një ndër sfidat konsiderohet edhe mbetja e AKA-së pa drejtor tash e 5 vjet.

Ministria e Administratës Publike përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se bazuar në përgjegjësitë që ka, procedurën e rekrutimit për drejtor në Agjencinë e Kosovës për Akreditim e ka zhvilluar në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi. Sipas MAP-it, lista me kandidatët potencialë, e publikuar në faqen zyrtare elektronike të MAP-it, i është dërguar edhe ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, por që ende nuk kanë marrë rekomandim nga ai. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)