Arbëri

Haradinaj, donatorëve të jashtëm: Ka lëshime, por mos e zbehni përkrahjen për Kosovën

Në forumin e nivelit të lartë për koordinimin e donacioneve të jashtme, kryeministri Ramush Haradinaj theksoi se populli i Kosovës është mirënjohës për donatorët dhe mjetet e dërguara në Kosovë për 20 vjet.

Kryeministri tha se falë kësaj përkrahjeje, Kosova është vend më i jetueshëm dhe ka progres edhe në aspektet reformative.

Haradinaj pati edhe një porosi për donatorët.

“Mos u zhgënjeni nga ndonjë lëshim që mund të ketë në Kosovë, ose mos e zbehni përkrahjen për Kosovë. Nuk keni krijuar parazit por keni nxitë përparim”, tha Haradinaj, raporton Ksp.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, theksoi se si shtet më i ri dhe më proevropian është duke zbatuar MSA-në për t’i hapur rrugë integrimeve evropiane.

“Sigurisht që kemi sfida para nesh sikur çdo shtet në botë, mirëpo kemi synuar që mjetet e donacioneve të jenë të destinuara dhe të implementuara në projekte adekuate”, theksoi Hoxha.

Përfaqësuesja e BE-së për Kosovës Natalya Apostolova tha se donacionet e BE-së që janë rreth 100 milionë euro në vit, janë të destinuara për sundimin e ligjit, për ekonomi, për arsim, për bujqësi dhe energji, mirëpo sipas saj, jo çdo gjë është duke shkuar në implementimin e projekteve ashtu siç ka pasur dëshirë Bashkimi Evropian.

“Jam dëshmitare e ndikimit të asistencës tonë dhe vërtet ka ndihmuar dhe përmirësuar jetën e njerëzve e të gjitha komuniteteve në Kosovë. P.sh, derisa shembujt e mirë dalin në pah, jo çdo gjë është duke shkuar siç kemi pasur dëshirë. Nga ky forum, është një mundësi të shohim se çfarë është arritur nga vitet e kaluara, mirëpo kryesisht duhet parë atë se çfarë nuk është arritur apo çfarë mund të kishte qenë më mirë për mësuar nga ato. Është me rëndësi që këtë ta bëjmë së bashku në mënyrë që ta paraqesim efektin tonë pozitiv të ndihmës tonë”, theksoi Apostolova.

BE-ja vazhdon të jetë donatori kryesor, i pasuar nga Gjermania, SHBA, Zvicra dhe kështu, ndërsa, sektori kryesor që ka përfituar nga donatorët është zhvillimi ekonomik, punësimi dhe mirëqenia, pasuar nga sundimi i ligjit, si dhe komunat.