Lushtaku për përleshjen: Në Klinë të Epërme pati pakënaqësi, u anuluan zgjedhjet

Lushtaku për përleshjen: Në Klinë të Epërme pati pakënaqësi, u anuluan zgjedhjet

14 April 2019 23:45

Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka dhënë pak detaje nga ajo që ka ndodhur sot në nëndegën e Klinës së Epërme.

Nuk ka treguar se aty kanë plasur grushtet, por ka thënë se atje ka pasur pakënaqësi.

“Sa për sqarim të opinionit, kuvendi zgjedhor i nëndegës së Klinës së Epërme është anuluar, për shkak të disa pakënaqësive në mesin e të pranishmëve. Në këtë rast, Komisioni Lokal Zgjedhor ka vendosur që t'i anulojë këto zgjedhje deri në një vendim të ri”, ka thënë Lushtaku, në profilin e tij në Facebook.

Lushtaku për përleshjen: Në Klinë të Epërme pati pakënaqësi, u anuluan zgjedhjet

Ndërkohë ai ka treguar se zgjedhjet e brendshme në degën e PDK-së në Skenderaj, janë mbajtur në Kllodërnicë, Rakinicë dhe Krasmirofc.

“Në këto nëndegë janë zgjedhur kryetarët, delegatët për kuvendin e degës dhe kryesitë e nëndegëve. Të gjitha këtyre strukturave u dëshiroj punë të mbarë e suksese në mandatin e ri 4 vjeçar”, ka thënë ai.

Rreth kësaj ngjarje ka reaguar më parë edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pas njoftimeve se në PDK-në e Skenderajt sot ka pasur përleshje fizike.

Jashari ka thënë se nuk është as nuk do të jetë fajtori kujdestar për çdo problem që ndodhë në subjektet politike.

“Unë i kam hapur dyert e bashkëpunimit për të gjithë, pa dallim. Pavarësisht kësaj, për aq kohë sa do të jem në krye të Komunës, përkrahës të mi i konsideroj të gjithë banorët e Skenderajt. Për mua, të gjithë, pa asnjë dallim, janë qytetarë të barabartë, të njëjtë”, ka thënë Jashari.

Koha.net ka raportuar gjatë ditës se zgjedhjet e brendshme të PDK-së në komunën e Skenderajt, kanë degraduar në përleshje fizike të dielën.

Duke u thirrur në burime të gazetës Koha Ditore, ishte mësuar se përplasjet janë shënuar midis grupit të Sami Lushtakut dhe atij të Nuredin Lushtakut që e mbështet kryetarin e komunës, Bekim Jashari. Të pranishëm, pos këtyre dyve kishin qenë edhe deputetët Bekim Haxhiu e Ganimete Musliu.

Sipas burimeve, përleshja fizike ka ndodhur gjatë një tubimi të organizuar me synimin për t’i zhvilluar zgjedhjet në seksionin e Klinës së Epërme. Pas saj, procesi zgjedhor është ndërprerë.

Skenderaj ka qenë bastion i PDK-së që prej formimit të partisë, ndërkaq përçarjet në të u bënë të dukshme në zgjedhjet e fundit lokale, kur në garë për kryetar komune u përfshi Bekim Jashari.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme