Arbëri

Thaçi – Qeverisë: Kushtetuta ka kuptim vetëm kur sovraniteti respektohet në gjithë territorin

Kreu i shtetit Hashim Thaçi, ka shfrytëzuar ceremoninë e shënimin të 11-të vjetorit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për të çuar një mesazh drejt Qeverisë së Kosovës.

Ka thënë se Kushtetuta ka kuptim vetëm atëherë kur sovraniteti dhe ligjshmëria respektohen në gjithë territorin e Kosovës.

Në njoftimin për media nga Presidenca, thuhet se i pari i vendit ka ftuar Qeverinë e Kosovës që pa hezitim dhe pa mëdyshje, të respektojë ligjshmërinë në çdo sferë të jetës institucionale, në gjithë Kosovën.

“Të mos ndodh kompromisi me ligjin në emër të përkatësisë etnike apo lojalitetit politik ditor. Respektimi i Kushtetutës merr kuptim të plotë vetëm kur sovraniteti dhe ligjshmëria respektohet në gjithë territorin e Kosovës. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Vetëm ata që e respektojnë ligjin, mund të jenë në institucionet e Kosovës”, ka thënë ai, përcjell Koha.net.

Tutje, aty thuhet se kreu i shtetit ka thënë se mbi bazën e kësaj Kushtetute, qytetarët janë të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës, si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i gjithë qytetarëve të saj.

“Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë bazamentin dhe kornizat e shtetndërtimit dhe funksionimit të tij”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka theksuar se edhe sot Kosova zotohet për forcimin e shoqërisë multietnike, derisa para pak muajsh institucionet tona implementuan edhe një obligim tjetër kushtetues dhe ligjor, themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Ushtri multietnike dhe mbi bazën e standardeve të NATO-s, e cila në të ardhmen e afërt do të funksionojë jo në mënyrë parciale, por në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar se Kosova ka shënuar progres edhe në rrafshin ndërkombëtar.

“Ka ndërtuar fqinjësi të mirë dhe ka përmbyllur demarkacionin me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Raporti Kosovë – Serbi mbetet shpresë për një të ardhme më të mirë”, ka theksuar ai.

Sipas presidentit Thaçi, kjo mund të arrihet atëherë kur bashkësia ndërkombëtare do të jetë unike në raport me Kosovën, Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor, e jo të flasë më shumë zëra dhe interesa të ndryshme taktike, që sfidojnë interesin strategjik për të ardhëm euroatlantike të Kosovës dhe më gjerë.

“Si në të kaluarën, edhe sot bashkësia ndërkombëtare mund të kontribuojë në unifikimin politik dhe institucional të Kosovës. Askush të mos pres të ndodhë e kundërta”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka listuar parimet bazë të Kushtetutës së Kosovës, të cilat duhet të respektohen, përkatësisht respektimin e plotë të sundimit të ligjit përmes institucioneve legjislative dhe ekzekutive të saj, sovranitetin, barazinë para ligjit, përdorimin e gjuhëve, përdorimin dhe respektimin e simboleve të të gjitha etnive, vlerat etnike dhe të barazisë qytetare, trashëgiminë kulturore dhe fetare të të gjitha etnive, forcimin e ekonomisë, lirinë e lëvizjes, lirinë e shprehjes, respektimin e ndarjes së pushteteve dhe të drejta të tjera.

Presidenti Thaçi në fund ka uruar të gjithë qytetarët për 11 vjetorin e Kushtetutës, duke falënderuar miqtë ndërkombëtarë, SHBA-në dhe BE-në, që na ndihmuan në hartimin dhe implementimin e kësaj Kushtetute.


Veseli: Kushtetuta, dinjiteti i Kosovës

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se Kushtetuta është dinjiteti i Kosovës, prandaj duhet të jetë e qartë se vetëm duke e respektuar atë, do të respektohet dinjiteti e vetvetes.

Sipas njoftimit nga Kuvendi, Veseli ka thënë se “30 vjet më parë, populli ynë u ngrit kundër të padrejtës, kundër suprimimit të autonomisë e të kushtetutës së asaj kohe, duke kërkuar të drejtën, lirinë, dinjitetin dhe sovranitetin, si komb i lirë i Evropës”.

Mbi këtë bazë, shtoi Veseli, u ngrit edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, falë të cilës sot populli i Kosovës gëzon lirinë, në shtetin e pavarur dhe sovran, e po ashtu edhe këtë Kushtetutë, mbi standardet më të larta demokratike.

“Sot, pas tri dekadash, secili nga ne duhet ta pyes vetveten se ku jemi, a kemi arritur aty ku ishin idealet tona tri dekada më parë? A po mund të realizojmë dhe jetësojmë synimin të cilën e kemi, mbi bazën e sakrificës së shumë njerëzve të rënë në altarin e lirisë?”, ka theksuar ai.

Veseli ka thënë se bartësit e përgjegjësive institucionale në vend duhet të mbajnë në mend përherë se nuk ka vend të zhvilluar që nuk respekton Kushtetutën dhe shtetin ligjor.

“Nëse ne e duam vendin tonë të lirë e të pauzurpuar, të zhvilluar e me të drejta për të gjithë qytetarët tanë, ne do t’ia arrijmë. Nëse kemi mëdyshje dhe hezitime, atëherë sigurisht që nuk do të jetë ajo rruga të cilën e kanë pasur ideal brezat e mëparshëm, apo që e kanë vizion gjeneratat e sotme dhe ato të nesërme. Mund ta arrijmë këtë. Besoj shumë në kapacitetet e njerëzve përgjegjës për ligjin dhe drejtësinë në Republikën e Kosovës. Besimi i qytetarëve do të jetë aty ku është e drejta, ku është Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.