Arbëri

Qeveria ndau 40 mijë euro për Shoqatën e Malazezëve të Kosovës

Kabineti qeveritar në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës është njoftuar për gjendjen e zjarreve që kanë përfshirë ditëve të fundit disa pjesë të territorit të Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se kanë bërë një plan të veprimit me mekanizmat institucional për të ndërmarrë veprimet me kohë ndaj zjarreve në Kosovë.

“Janë përhapur në gjithë Kosovën zjarret, fatmirësisht nuk ka viktima në njerëz, por dëme materiale po”, tha Haradinaj.

Qeveria ka emëruar po ashtu anëtarët e ri të Bordit të Ndërmarrjes Infrakos, të ndërmarrjes Traninkos, dhe të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive.

Qeveria ka miratuar kërkesën e Shoqatës së Malazezëve të Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare prej 40 mijë euro.

Po ashtu në mbledhjen e Qeverisë i është dhënë mbështetje kërkesës së komunës së Istogut për ndarje të mjeteve financiare për realizimin e projektit për furnizim me ujë në fshatrat Banjë, Baicë, Lubovë, Carrallukë, Kaishë dhe Dubovë e Vogël.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar propozim-vendimin për ndarje të mjeteve financiare për Kombëtaren e Kosovës në futboll, por që nuk u bë e ditur shuma.

Ndërsa, kryeministri Haradinaj në fund të mbledhjes ka kërkuar informacione nga ministri i Kulturës për Sallën koncertale, ngaqë siç tha kryeministri Komisioni Evropian ka tërhequr vërejtjen se Kosova mund ta humbas donacionin për këtë Sallë, për vonesat në realizimin e projektit./KsP.