Arbëri

Haradinaj: Kosova ka luajtur rol konstruktiv në tregun energjetik

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së hënë është takuar me akterët e sektorit të energjisë në vend, ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, përfaqësuesit e KOSTT dhe ZRRE, përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane dhe të KfW-së.

Sipas një njoftimi dërguar medieve, në takim është ë biseduar për zhvillimet në sektorin e energjisë, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit të energjisë elektrike në vend dhe kyçjen e burimeve të ripërtëritshme.

I pari i Qeverisë ka njoftuar lidhur me përkushtimin institucioneve për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në Kosovë, për kapacitetet energjetike të Kosovës dhe për projektet e reja të energjisë së ripërtritshme, si hapa të rëndësishëm për zhvillimin e këtij sektori dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai ndër të tjera ka vlerësuar interesimin e investitorëve për ndërtimin e kapaciteteve për prodhimin e energjisë alternative, të cilat do të hapin rrugë për vende të reja të punës, sigurimin e energjisë elektrike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, transmeton Koha.net.

Sipas njoftimit në takim është theksuar se Kosova, ka përmbushur të gjitha obligimet e saj karshi raportit të saj me platformat regjionale dhe evropiane të energjisë, derisa si teme diskutimi ishin edhe procedurat dhe pengesat eventuale burokratike dhe angazhimi i të gjitha institucioneve për të evituar këto pengesa, në të mirë të investimeve strategjike dhe sigurimin e opsioneve të sigurta në prodhimin e energjisë.

“Kosova është e gatshme të jetë pjesë e platformave evropiane dhe rajonale të energjisë, siç është e gatshme të zbatojë marrëveshjet dhe obligimet në këtë sektor”, ka thënë Haradinaj.