Arbëri

Tsipras paralajmëron Shqipërinë rreth minoritetit grek

Descriptive Text

Një mesazh të ashpër ndaj Tiranës ka çuar kryeministri grek, Alexis Tsipras, nga samiti katërpalësh në Bukuresht me pjesëmarrjen e Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Serbisë.

Duke iu referuar ligjit nr. 708, datë 21.11.2018, “Për regjistrimin dhe kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Turizmit të disa pronave të paluajtshme shtetërore, në vijën bregdetare Vlorë-Sarandë”, ligj për të cilin Athina ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin e saj, pasi prek pasuritë e minoritetit grek në Shqipëri, Tsipras ka deklaruar se nëse është real lajmi, që ky ligj është publikuar vërtet orët e fundit në Fletoren Zyrtare të qeverisë, atëherë Athina nuk do të mbështesë ecurinë europiane të Shqipërisë.

“Shikojmë kohët e fundit, për fat të keq, disa zhvillime që nuk ka kënaqin. Sot mësoj se ka një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri. Nëse kjo është e vërtetë, do të jetë një zhvillim shumë negativ dhe është një zhvillim që në këtë moment nuk na jep optimizmin për sa i përket ecurisë kritike europiane të këtij vendi, që përballon sfida të rëndësishme, ndaj të cilave duhet të përgjigjet. Parakushtet për të lëvizur në drejtimin e mbështetjes së kësaj ecurie, nëse informacioni që kemi është real, nuk ekzistojnë. Shpresoj të mos jetë i vërtetë, sepse vullneti ynë është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ndërmarrim hapa për ta bërë perspektivën europiane një realitet”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë, transmeton tch .

Kjo është hera e parë që Athina, e cila ka qenë mbështetësja kryesore e ecurisë europiane të Shqipërisë, sidomos vitin e kaluar, paralajmëron për një qëndrim të kundërt në këtë proces.

Megjithatë, menjëherë pas deklaratës së kryeministrit Tsipras të transmetuar edhe online përmes Youtube nga mediet greke, duket se ligji në fjalë i botuar në Fletoren Zyrtare është hequr prej andej.