Arbëri

Qeveria merr vendim për mbylljen e lojërave të fatit, Projektligjin e dërgon në Kuvend

Qeveria e Kosovës të martën ka miratuar Projektligjin që ndalon lojërat e fatit.

Përveç Lotarisë së Kosovës, asnjë kazino, bastore apo ndonjë objekt i kësaj natyre nuk do të mund të operojë më në vend pas miratimit të tij.

Projektligji, i cili në afat prej 30 ditësh pritet të dorëzohet në Kuvendin e Kosovës, parasheh ndalimin e lojërave të fatit për periudhën 10-vjeçare, raporton KTV.

Ndërkohë, një peticion prej më shumë se 11 mijë nënshkrimesh të qytetarëve të Suharekës, të cilët kërkuan shfuqizimin e Ligjit për lojërat e fatit, është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.

Peticioni iu dorëzua kryeparlamentarit Kadri Veseli, nga kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.

Iniciativa për peticion erdhi pas vrasjes që ndodhi në një kazino në Suharekë dhe një tjetër në Lipjan.

Vrasjet e fundit alarmuan qytetarët dhe deputetët e Kuvendit, të cilët javën e kaluar miratuan edhe një rezolutë për pezullimin e të gjitha lojërave të fatit.