Arbëri

Serbia kreu gjenocid në Kosovë, thotë Thaçi në Krushë të Vogël

Foto: Koha

Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël përkujtojnë sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.

Në përvjetorin e 20-të të masakrës së Krushës së Vogël, kryetarja e këtij fshati, Shpresa Shehu, ka kërkuar përkujdesje më të madhe nga institucionet e Kosovës, raporton KTV.

Më tutje ajo ka kërkuar edhe zbardhje të çështjes për personat e pagjetur.

Ndërkaq, gjatë një fjalimi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, duke dëbuar mijëra qytetarë nga Kosova, duke vrarë e dhunuar.

Ai ka thënë se institucionet janë duke punuar për të zbardhur rastin e të pagjeturve.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se është padrejtësi që Serbia, që kreu tërë ato krime në Kosovë, të integrohet e Kosova jo.

“Jemi krenarë, por të dëshpëruar pasi që ende nuk dihet çështja e të pagjeturve, ende nuk është dënuar askush për krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë. Është e padrejtë që Serbia të jetë e integruar e ne të jemi të izoluar. Është e padrejtë që Serbia të kërkojë ende të sundojë Kosovën”, ka thënë Haskuka.

Agron Limani, kryetar i shoqatës “26 marsi”, ka akuzuar strukturat politike të Kosovës, duke thënë që çështjen e të pagjeturve e kanë lënë në harresë duke u marrë me interesat e veta.

Ai ka akuzuar edhe EULEX-in duke thënë që kanë fshehur faktet e krimeve të luftës së fundit në Kosovë.

Më tutje ka shtuar se njerëzit që u vendosën në pushtet u morën vetëm me sistemimin e afërmve të tyre në punë.

20 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë serbe anekënd Kosovës.

Ndërkaq, për dy ditë Krusha e Vogël humbi 102 persona. Ditën e parë më 25 mars ka humbur nëntë persona, ndërsa ditën e dytë, më 26 mars, ka humbur edhe 102 persona.

Brenda dy ditësh, 70 për qind e meshkujve të fshatit u vranë nga forcat serbe. Ata u vendosën në dy dhoma me duart lart në kokë. Nga dyert dhe dritaret u shtie në ta me automatikë. Shtëpia u dogj e shumë nga trupat u gjuajtën në lumë.

Në përkujtim të shënimit të kësaj date të dhimbshme do të mbahen homazhe dhe akademi përkujtimore, ku do të marrin pjesë krerët më të lartë të vendit.