Thirrja për dënimin e krimeve të forcave serbe është përsëritur sërish në Krushë të Madhe, ku është shënuar përvjetori i 23-të i masakrës që pati rezultuar me 241 viktima shqiptare. Në këtë tubim përkujtimor kryeministri Kurti ka vlerësuar se duhet të realizohet shteti që e llogarit ndërtimin e vet në radhë të parë mbi drejtësinë për viktimat
Në 23-vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe të Rahovecit, kur ishin vrarë 241 shqiptarë, është përsëritur thirrja për vendosjen e drejtësisë për krimet e kryera nga forcat serbe në këtë vendbanim dhe gjithandej Kosovës. Banorët e Krushës së Madhe kanë bërë të ditur se gjurmët e gjenocidit serb janë ende të freskëta në këtë anë. Ndërsa qeveritarët kanë theksuar se duhet të realizohet shteti që e llogarit ndërtimin e vet në radhë të parë mbi drejtësinë për viktimat e Kosovës.
Kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, ka thënë se krimet serbe ndihen në çdo cep të këtij lokaliteti pasi që janë prekur të gjitha familjet krushjane, ndërkohë që sipas tij drejtësia mungon sot e kësaj dite.
“Edhe pas 23 vjetësh vrasësit e më të dashurve tanë enden të lirë, e ne ende presim që ata të marrin dënimin, mirëpo ato jo që nuk kapen, por përkundrazi u zbuten apo u përgjysmohen”, ka thënë Hoti.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka theksuar se shteti serb duhet të dënohet sipas ligjeve ndërkombëtare për gjenocidin e kryer mbi popullatën shqiptare.
“Vrasja, djegia e njerëzve dhe më pas zhdukja e gjurmëve të këtij krimi monstruoz, përbën një nga shembujt më të vrazhdë të egërsisë serbe mbi shqiptarët. Burra e djem të këtij fshati u mblodhën, u ekzekutuan, kufomat i dogjën, ndërsa mbetjet e tyre u dërguan në drejtim të paditur”, ka deklaruar Latifi. Ai ka shprehur qëndrimin se krimi serb në Krushë të Madhe ka qenë mjaft i egër.
“Nga 241 sa i vrau Serbia, 64 ende janë pa varre e pa shenja, ende nuk dihet se ku janë, në mesin e tyre nuk dihet se ku është as profesor Ukshin Hoti. Ky krim i rëndë u bë edhe më i rëndë pasi që serbët hodhën shishe molotovi për t’i djegur sa më shpejt dhe në tërësi kufomat e njerëzve. Kjo nuk mund të konsiderohet asgjë më pak se gjenocid”, është shprehur Latifi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pohuar se rivendosja e drejtësisë është e nevojshme për çdo familje të Krushës, çdo familje të Kosovës, e mbi të gjitha për qëndrueshmërinë si shtet e si popull.
“Krimi i luftës në Krushë të Madhe, krimi kundër njerëzimit në Krushë të Madhe, është krim makabër për të cilin nuk është ndëshkuar askush. Edhe këtë e kemi kuptuar pas dy dekadave të humbjes së kohës. Duhet të punojmë që mizorinë ta japim me një dije të plotë dhe një dinjitet të lartë. Kjo punë kërkon energji dhe vullnet, andaj dhe kemi mbetur mbrapa, e duhet ta pranojmë se kërkimi i drejtësisë përgjithësisht është bërë shkel e shko”, ka thënë Kurti.
Masakra në Krushë të Madhe të Rahovecit ka ndodhur më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, me ç’rast pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat serbe patën vrarë 241 shqiptarë të këtij fshati, derisa 64 prej tyre konsiderohen ende të zhdukur.
Masakrat në Krushë të Madhe u bënë kryesisht në tri objekte prej të cilëve sot ka pak gjurmë të asaj që ndodhi. Nuk janë ruajtur si objekte që dëshmojnë. Xhamia është rinovuar, duke humbur gjurmët e një tjetër lokacion ishte një stallë prej së cilës sot s’ka mbetur asnjë shenjë. Midis objekteve është edhe shtëpia e familjes Duraku në gjendje mjaft të rëndë e për të cilën, njohës të trashëgimisë atrocitare bëjnë thirrje që shteti të ndërmarrë masa për ta ruajtur si dëshmi.
Ndërkaq, afër varrezave të martirëve në Krushë të Madhe ka marrë formë konstrukti i ndërtesës që do të jetë muze, ku do të prezantohen dëshmitë e agresionit serb në këtë vendbanim.