Arbëri

Rama, i hapur për ndryshimet kufitare Kosovë-Serbi, thotë se është “gjë e natyrshme”

Foto: Driton Paçarada / Koha

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur i hapur në lidhje me ndryshimet e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për gazetën zvicerane, NZZ, Rama thotë se ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi është gjë që vjen natyrshëm.

“Është gjë e natyrshme”, thotë ai, dhe potencon se kufijtë e Kosovës me Maqedoninë Veriore dhe me Malin e Zi janë ridefinuar viteve të fundit, transmeton Koha.net.

Në të njëjtën kohë, Rama thekson se Shqipëria nuk është përfshirë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. “Se si do të duhej të dukej marrëveshja, duhet të vendosin Kosova dhe Serbia”.

Megjithatë, përmbajtja e saktë e një marrëveshjeje të tillë mbetet e paqartë. E paqartë është edhe fakti se sa afër është arritja e një marrëveshjeje të tillë. Por, është e dukshme se mbi të gjithë, SHBA-ja po insiston për një marrëveshje.

Rama flet edhe për kufijtë e pranueshëm dhe ata të papranueshëm në rast të një marrëveshjeje të këtillë. “Kufijtë etnikë duhet të shmangen medoemos”.

Kryeministri shqiptar thotë po ashtu se çdo marrëveshje që do të përkrahet nga BE-ja dhe SHBA-ja, do ta përkrahë edhe shteti i tij.

Gazeta shkruan edhe për atë që e quan “provokim” i Edi Ramës për Shqipërinë e madhe, ide e cila thotë se nuk po pritet mirë në Serbi e as në Perëndim. Thotë po ashtu se viteve të fundit, shqiptarët e të dy shteteve janë afruar me njëri-tjetrin. Shkëmbimet kulturore dhe mediatike janë të fuqishme. Sot, duke iu falënderuar lidhjes me autostradë, për rreth dy orë mund të gjendeni në bregdetin shqiptar nga Kosova.

Politikisht, në shikim të parë, Prishtina dhe Tirana duket se kanë marrëdhënie më të forta në mandatin e Edi Ramës. Që nga 2014, janë mbajtur takime të rregullta mes qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, ndërsa kur Rama rikonfiguroi kabinetin e tij gjatë dimrit, ai mori dy shqiptarë të Kosovës për ministër të Jashtëm dhe ministër të Edukimit.

Sido që të jetë, Rama, për dallim nga paraardhësi i tij, Sali Berisha, nuk kultivon marrëdhënie me parti politike por me individë, siç është presidenti Hashim Thaçi. Po ashtu, edhe shkëmbimi ekonomik mes dy vendeve është rritur paksa gjatë mandatit të Ramës. Më 2014, një vit pasi Rama mori pushtetin, Shqipëria eksportonte në Kosovë 7.3 për qind të mallrave të saja, ndërsa më 2018 është rritur në 8.7 për qind. Kurse eksporti kosovar për në Shqipëri, gjatë periudhës së njëjtë, është rritur nga rreth 1.1 në 1.4 për qind.

Kurse për çështjen e “mini-Schengenit” ballkanik, Rama thotë se s’dëshiron të japë data se kur do të realizohet, ndonëse shpreson se do të realizohet gjatë këtij viti.

Ai sqaron se ky model i mini-Schengenit duhet të zgjerohet me të gjithë rajonin, e të mos mbetet vetëm me Kosovën.

Në fund, gazeta zvicerane shkruan se Rama, i cili po përballet me protesta opozitare në vend, ka një qëllim kryesor: të mbetet në pushtet me çdo kusht.