Mynih, 14 mars - Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, znj. Rejhan Vuniqi, filloi një vizitë zyrtare dyditore në Bavari, ku fillimisht u prit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Bavarisë nga sekretari i Shtetit, z. Gerhard Eck.
Sipas njoftimit për media nga MPJ, temë kryesore e këtij takimi ishte çështja e liberalizimit të vizave. Ajo ka kërkuar që edhe në këtë proces Gjermania t’i qëndrojë afër Kosovës, siç e ka dëshmuar gjatë gjithë rrugëtimit të kosovarëve drejt paqes dhe shtetndërtimit. Ajo ka ritheksuar se ky proces varet prej qëndrimeve të shteteve anëtare, megjithatë mbështetja e shtetit gjerman është shumë e rëndësishme dhe thelbësore në këtë proces.
“Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje shteti i vetëm i izoluar në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Vuniqi.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e palës gjermane në këtë takim kanë premtuar se Kosova do ta ketë mbështetjen e parezervë në procesin e liberalizimit, edhe pse e tëra nuk varet nga landi i tyre.
Gjatë takimit është diskutuar edhe mbi rolin, kontributin dhe integrimin e shtetasve kosovarë në shoqërinë dhe Institucionet gjermane, shqyrtimin e mundësisë për lehtësimin e procedurave të shtetësisë dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës.
Zëvendësministrja Vuniqi e ka ftuar sekretarin z. Eck për vizitë në Kosovë për t’u njohur nga afër me realitetin dhe përparimet, që janë bërë falë edhe ndihmës gjermane.
Bajerni është njëri nga 16 landet e Gjermanisë, që për nga popullsia zë vendin e dytë, ndërsa gjeografikisht është landi më i madh në Gjermani.
Vlerësohet se numri i përgjithshëm i diasporës tonë në Bajern është mbi 60 mijë.