21:38

“Kur të bëhet pak më e qartë ndarja e Kosovës keni me pa Vetëvendosjen e vërtetë”

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, e ka quajtur marrëveshje gjentelmene atë për formimin e këtij koalicioni qeverisës, në të cilin kryeministri Ramush Haradinaj nuk do t’i përzihej presidentit Hashim Thaçi në çështjet e dialogut.

“Prej që është formuar ky koalicion e kanë pasur njëlloj marrëveshje gjentelmene presidenti me kryeministrin. Kjo marrëveshje gjentelmene ka qenë që kryeministri mos t’i përzihet presidentit në dialogun me Serbinë. E them që është gjentelmene, sepse nuk është e shkruar meqë disa marrëveshje shkruhen dhe disa nuk shkruhen”, ka thënë ai.

“Marrëveshja ka qenë që të ecin në dy binare. Qysh kur u miratua kjo rezoluta për dialogun e sponsorizuar nga PSD-ja, e ku kontribuuan PDK-ja dhe të tjerat, kryeministri doli në mbrëmje që tha dokumentet tona asnjëherë nuk e ndalojnë presidentin të takohet me Vuçiqin, sido që e thërret Mogherini dhe mund ta vazhdojë procesin e tij i pashqetësuar”, theksoi tutje.

I pyetur se pse Lëvizja Vetëvendosje nuk është shumë aktive në kundërshtimin e idesë për korrigjimin e kufijve, Konjufca ka thënë se “kur të bëhet pak më e qartë ndarja e Kosovës ju keni me pa Vetëvendosjen e vërtet”.

“Ne po e ftojmë kryeministrin që meqë i kemi qëllimet e njëjta ose të paktën po duket që i kemi që ta votojmë një dokument në parlamentin e Kosovës, i cili e bën të qartë që presidenti nuk guxon të flasë për territorin. Nëse del një transkripto nga takimet e Thaçit me Vuçiqin në BE, ku flitet për territorin, Taçi duhet të japë përgjegjësi deri në shkarkimin e tij”, ka thënë Konjufca.

21:27

Konjufca: 30 net po e pres Molliqajn të nxjerrë faktet për Glaukun në SHIK

“Jo, kurrë”, është përgjigjja e Glauk Konjufcës, shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, kur është pyetur në Rubikon të KTV-së nëse ka punuar në SHIK.

Ka thënë se ka 30 net që po e pret ish-anëtarin e VV-së, Dardan Molliqajn, që të nxjerrë faktet për pretendimin që Konjufca ka punuar në SHIK. Për këtë Konjufca ka paditur për shpifje Molliqajn.

“Këtë e keni dëgjuar prej një njeriu dhe prej një tjetri, të cilin e ka manipuluar ky njeri. Por jashtë asaj që e thotë ky, s’mund të gjeni asgjë që e dëshmon këtë. Megjithatë, nuk mendoj që Dardan Molliqaj mund t’i manipulojë të gjithë sepse aty (PSD) mund të ketë edhe njerëz me dinjitet”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nuk pranon të dalë në debat televiziv me Molliqajn duke deklaruar se nuk flet me të.

“Prej deputetëve unë vetëm me dy nuk flas, me Milaim Zekën dhe Dardan Molliqajn të cilët janë të njëjtë”, ka shtuar Konjufca.

“Të bëhesh aq i poshtër sa ta goditësh njeriun në reputacion, mua më prek shpifja. Me më thënë që Vetevëndosje e ka gabim, nuk më prek se unë të them pse e ka gabim por nëse rren diçka për mua, për besë të çoj në gjykatë se ke rrejt. Çdo natë po i qes këmbët mbi tavolinë, po e marr një tas me kikirika dhe po pi çaj e po pres kur ka me dal Dardan Molliqaj në televizion dhe të tregojë se kam qenë në SHIK. Unë po pres çdo natë para televizorit, çdo natë. Nesër bëhet dita e 31-të, për çdo ditë që shkon rrena e Dardanit po bëhet më e madhe”, ka përfunduar ai.

21:06

Deri tash vetëm Thaçi është kundër taksës, thotë Konjufca

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se kryeministri Ramush Haradinaj duhet ta mbajë taksën ndaj mallrave serbe dhe nuk duhet të dorëzohet.

Sipas tij, në vendimin e taksës vetëm presidenti Hashim Thaçi është kundër.

“Mendoj që nuk duhet të dorëzohet dhe sa i përket me Serbinë, presioni ndërkombëtar duhet të jetë mbi Serbinë e jo mbi Kosovën. Deri tash është mbi Kosovën. Duhet që spektri politik të jetë bashkë. Presidenti është kundër taksës, deri tash vetëm presidenti është kundër taksës”, ka thënë ai.

Sipas Konjufcës, qeveria Haradinaj duhet të rrëzohet mirëpo jo për arsye të taksës.

“Mendoj që prej fillimit ka pas keqqeverisje dhe skandalet kanë qenë të çdo javshme. Prej mënyrës qysh i ka fut duart në buxhetin e shtetit duke filluar prej prodhuesve të ujit, përmes shpronësimeve të dyshimta e deri të kontrata me Contour Global, listat e veteranëve, Bechtel Enka me 53 milionë euro të falura”, ka thënë ai.

20:59

Konjufca nuk mendon që insistimi i SHBA-së është thirrja e fundit për Kosovën

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, po sheh një presion që BE-ja po bën te SHBA-ja, se “Kosova po i paraqet problem në vazhdimin e dialogut dhe i vetmi shtet që mund ta bind Kosovën është SHBA”.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se Qeveria Haradinaj nuk duhet ta heqë taksën pa e arritur qëllimin.

“Unë nuk e kisha hequr pa u arritur qëllimi. Këta e kanë vendosur një tarifë shumë të lartë të taksës, qëllimi është njohja. Nuk e di që ka diçka më të lartë, ky është krejt qëllimi jonë. Unë mendoj që është mirë që është vendos dhe që po mbahet, dhe nuk mendoj që do të ishte fatale në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Konjufca.

“Mendoj që vetëm në një rast SHBA-të do ta shqyrtonin prezencën e tyre në Kosovë, nëse dikush më i fortë i largon”, theksoi ai.

Konjufca nuk mendon që insistimi i SHBA-së është thirrja e fundit për Kosovën.

20:24

Konjufca s’e di pse zyrtarët amerikanë nuk e takuan VV-në

Shefi i GP të LVV-së, Glauk Konjufca në Rubikon të KTV-së ka thënë se deri më tash nuk ka ende asnjë informacion a shpjegim se pse nuk i kanë takuar përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të cilët po qëndrojnë në Kosovë.

“Ndoshta do të kishte qenë e udhës ata vetë për kriteret e përzgjedhjes, se më kë takohen dhe kë e përcaktojnë të panevojshëm që të takohen”, ka thënë Konjufca.

“Krejt çka dimë deri tash është se kanë pasur një qasje të tillë selektive. Nuk kam shpjegime dhe nuk e di arsyen e vërtetë pse. Nuk i kemi pyetur, nuk e kemi zakon të pyesim se pse nuk ishim në ndonjë takim”, ka thënë ai.

20:17

Konjufca flet për gjendjen shëndetësore të Kurtit

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka folur në Rubikon të KTV-së për gjendjen shëndetësore të kryetarit të VV-së, Albin Kurti.

Kurti, që ishte shtrirë në spital për shkak të gripit, sipas Konjufcës, tash është në gjendje më të mirë.

“Sot u përmirësua gjendja e tij dukshëm, aq sa për ta lëshuar spitali. Ajo çka ka pas është një infektim në mushkëri, një baktere. Ajo baktere është izoluar dhe duhet të trajtohet ngadalë. Atij tash i duhet një pushim disaditorë dhe duhet të jetë i izoluar disa ditë. Besoj pas pak ditësh do të jetë në gjendje t’i kthehet jetës politike. Tash mjekët konkludojnë që Albini ka kaluar rrezikun për eskalim të gjendjes shëndetësore të tij. Tash trajtimin do ta marrë nga shtëpia, nga vendi ku banon”, ka thënë Konjufca.