Rama do dialog, jo zgjedhje

Rama do dialog, jo zgjedhje

21 February 2019 21:22

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u është drejtuar qytetarëve përmes një transmetimi direkt ku foli për protestën e opozitës, dorëzimin e mandateve të deputetëve nga ana tyre dhe kërkesat për zgjedhje të parakohshme.

Ai tha se kjo është ditë e keqe për demokracinë shqiptare, duke iu referuar si “zgjedhje destruktive” dhe “e dhimbshme për produktivitetin e jetës politike” heqjes dorë nga mandatet e opozitës në Kuvend.

Kryeministri Rama shtoi se ky veprim mund të jetë një goditje fatale për çeljen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian këtë vit.

Ai, gjithashtu, tha se Qeveria është e gatshme të hapë dialog me opozitën, në shërbim të demokracisë dhe forcimit të institucioneve.

Megjithatë, Rama shtoi se nuk mund të imponohen zgjedhjet e parakohshme, meqë këtë qeveri e ka vendosur populli me vota.

“Jemi gati të ulemi dhe të dialogojmë për gjithçka që i shërben forcimit të demokracisë të vendit dhe institucioneve. Ama një nga shumëçka(të) që mund të diskutohen dhe që mund t’i shërbejë realisht forcimit të demokracisë, nuk është as retorika e dhunshme, as dhuna mbi institucionet, as imponimit me dhunë të ndryshimit të raporteve politike të vendosura nga populli me votë. Dhe, pa dyshim, as ndërprerja e një mandati legjitim qeverisës përmes një kamikazërie politike”, tha Rama.

Të enjten, mijëra qytetarë të Shqipërisë protestuan kundër Qeverisë duke kërkuar largimin e kryeministrit, Edi Rama.

Kjo protestë u organizua nga opozita shqiptare, e cila ka djegur mandatet e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Ky veprim është kritikuar nga misionet diplomatike ndërkombëtar me seli në Tiranë, të cilat thonë se një veprim i tillë dëmton konsolidimin e demokracisë së vendit.

Partia Socialiste në Shqipëri, e drejtuar nga Edi Rama, udhëheq vendin me shumicë, pa koalicion dhe ka 78 ulëse në Parlament./REL

Komentet

Shto koment

Të ngjashme