Arbëri

Hoxha në Vjenë: Përfshirja e Ballkanit në BE, vendimtar për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit

Në takimin në Vjenë të Ministrave përgjegjës për Çështjet Evropiane, ministrja e Integrimit Evropian e Kosovës, Dhurata Hoxha, tha se Kosova mirëpret dhe vlerëson shumë partneritetin me Austrinë dhe shprehu mirënjohje ndaj Ministrit Federal të Austrisë, Gernot Blumel, për përpjekjet e tij për të çuar përpara agjendën strategjike për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Hoxha tha se ka pasur diskutime konstruktive me pjesëmarrësit dhe u përsërit rëndësia që BE-ja të fokusojë politikën e saj të jashtme deri në vitin 2025 dhe më tej në procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Përfshirja Ballkani Perëndimor, sipas saj, është vendimtar për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.

“Strategjia e Zgjerimit, e cila u publikua vitin e kaluar, ishte më shumë se e mirëpritur, duke na dhënë mesazh të qartë për perspektivën evropiane të kësaj pjese të Evropës. Megjithatë, theksova rëndësinë e faktit që vendet e Ballkanit Perëndimor të ofrohen me hapa më të vendosur dhe konkret në rrugën evropiane. Është e qartë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë anëtarësimin në BE, megjithatë ky është një proces negocimi i cili duhet të zhvillohet me kujdes”, tha ajo.

Ndërkaq, ajo foli edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e po ashtu edhe për çështjen e liberalizimit të vizave.

“Siç e dini, Republika e Kosovës është në fazën e fundit të procesit të liberalizimit të vizave me BE. Edhe pse qytetarët e Republikës së Kosovës janë më pro BE-së në Evropë, Kosova është i vetmi vend me regjim të vizave dhe ne do t'i nxisim shtetet anëtare të shpejtojnë procesin e vendimmarrjes pas konfirmimit nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi”, deklaroi Hoxha.

Ministrja e Integrimit Evropian tha se rajoni është i fokusuar në ndihmën financiare nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe theksoi rëndësinë që BE-ja të rrisë efikasitetin e përgjithshëm të projekteve të investimeve në Kosovë dhe rajon.

Gjithashtu, një aspekt i rëndësishëm, sipas saj, do të ishte rritja e granteve të BE-së për projekte të ndryshme infrastrukturore.