Arbëri

Provat e hetuesisë ngrenë dyshimin se “avokati hero” e riviktimizoi vajzën nga Drenasi

Në foto, Gazmend Halilaj

Avokati Gazmend Halilaj, i cili është nderuar me mirënjohje si “hero” nga organizatat e shoqërisë civile për zbulimin në publik të dyshimeve për keqpërdorim seksual të një të miture nga një mësimdhënës dhe nga një hetues policor, tani po dyshohet për veprat e njëjta sikurse dy të dyshuarit e arrestuar.

Avokati Halilaj po hetohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim seksual, shkruan sot Koha Ditore.

Halilaj, që fillimisht ishte avokat i mësimdhënësit, i cili dyshohet që e ka keqpërdorur seksualisht para dy vjetëve një 16-vjeçare, tani është i dyshuar se e ka riviktimizuar të renë nga Drenasi përderisa po e “ndihmonte” t’i denonconte të dyshuarit për abuzim.

Ani pse Halilaj ka thënë se për rastin është njoftuar nga një burim i tij, burimet nga hetuesia kanë treguar se ka dëshmi se Halilaj ka kohë që ka qenë në dijeni për raportin e vajzës me dy personat që dyshohet se abuzuan seksualisht me të.

Halilaj, sipas dëshmive të hetuesisë, ka qenë në dijeni për abuzimin e supozuar të policit V.V para se e reja të mbeste shtatzënë. Bisedat përmes Viberit mes viktimës dhe avokatit Halilaj, sipas hetuesisë, ngrenë dyshimin se edhe avokati Halilaj e ka shfrytëzuar situatën e rëndë nëpër të cilën po kalonte vajza. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)