Për shumicën e madhe të qytetarëve shteti i Kosovës është shndërruar në një aforizëm për media sociale, aty ku shumica e popullatës së vendit e kalon kohën: “kurrë nuk është vonë me e lanë duhanin... dhe Kosovën”. Kështu ka thënë publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, në intervistën e javës për “Kohën Ditore”.
Sipas tij, kjo do të thotë që vendi është shndërruar në emërtues për mungesë perspektive, teksa ka mundur të ndodhë krejt e kundërta - “që Kosova të mos e vendoste pavarësinë e vet në kandar pazari, të investonte në kapitalin njerëzor nëpërmjet arsimit, të krijonte ambientin për një ekonomi kompetitive, në të cilën ndërmarrësia dhe bujqësia do të krijonin zhvillimin e perspektivën”.
Surroi, që ka qenë njëri prej nënshkruesve të Marrëveshjes së Rambouillet, i ka bërë një përshkrim rrugës deri në pavarësi dhe pas saj, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ky projekt i menduar mirë, një herë i realizuar me Pavarësinë e vendit, u uzurpua. Ashtu si u uzurpuan banesat, tokat, dyqanet, fabrikat, ashtu u uzurpua edhe ky projekt”, ka thënë Surroi. Sipas tij, një grup i dhunshëm i njerëzve, që identifikohen tashmë prej kohësh me Hashim Thaçin, e shndërruan projektin e pavarësisë në projekt të grabitjes, të kapjes së shtetit, të pasurimit të tyre klanor, grupor e individual.
Sa i përket dialogut, Surroi ka thënë se, shtetësia e Kosovës u vu në tavolinë ditën kur Hashim Thaçi pranoi që të negociojë me Serbinë si kryeministër i shtetit, pavarësia e të cilit është e diskutueshme.
Sipas Surroit, Kosova duhet të kthehet te platforma bazike, ajo me të cilën kërkon negociata të barazisë me Serbinë, pra negociata për fqinjësi të mirë, jo për vazhdimësi të pranisë së Serbisë në Kosovë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)