Haxhiu: Thaçi dhe Ekipi qeveritar në tavolinën e bisedimeve në Bruksel “do të vendosin gjithçka”

Fortuna Shkodra Fortuna Shkodra 09 shkurt 2019 13:00

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cilëson procesin e dialogut si të shfrytëzuar nga Serbia, siç është shprehur ajo, për shkak të apetiteve të sëmura që ka ky shtet ndaj Kosovës.

Në Intervistën e Javës në Koha.net, Haxhiu ka thënë se që nga viti 2011, kur nisi procesi i dialogut, është thënë se qëllimi i këtij procesi është që Kosova të anëtarësohet në BE, të bëhet integrimi i serbëve në jetën shoqërore, politike e ekonomike, por edhe të ndodhë njohja nga Serbia. Por sipas saj, deri sot, s’ka ndodhur asnjëra prej tyre vetëm se u forcua pozicioni i Serbisë në territorin e Kosovës.

Haxhiu thotë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka marrë përsipër gjithë procesin e Dialogut. Sipas saj, Thaçi dhe Ekipi për dialog, që Vetëvendosja e quan Ekip qeveritar, në tavolinën e bisedimeve në Bruksel “do të vendosin gjithçka”.

Por, për ta ndaluar presidentin Thaçi, që sipas LV-së nuk ka legjitimitet për të biseduar në Bruksel, Haxhiu thotë se protestat janë të pashmangshme.

“Thaçit i ka ndihmuar një veprim i disa subjekteve në Kuvend, siç është votimi i rezolutës për Ekipin Negociator, që është ekip qeveritar, e është në shërbim të Thaçit. Nga votimi i asaj rezolute, ka ndryshuar edhe gjuha e Thaçit. Është e papranueshme për Vetëvendosjen se si Thaçi, Kosovës lindore i referohet si jug i Serbisë”, tha ajo.

Partinë Socialdemokrate, Haxhiu e ka quajtur subjekt pseudo-opozitar, që siç tha ajo, “po ia bën argatin Hashim Thaçit duke u futur në këtë proces të dialogut”.

Projektligji për Dialog, që u miratua në Kuvend por s’mori votat e Vetëvendosjes, Haxhiu tha se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese nëse kalon edhe në shqyrtim të dytë, pasi është i papranueshëm në aspektin juridik, dhe sipas saj, është në kundërthënie me Kushtetutën. Sipas rregullores së punës së Kuvendit dhe sipas Kushtetutës, pas shqyrtimit të dytë në Kuvend, është një afat 8 ditor kur ata gëzojnë këtë të drejtë ta dërgojnë në Kushtetuese. Por, Haxhiu thotë se nuk kanë shumë shpresa në Kushtetuesen, duke u bazuar në të kaluarën që kanë pasur.

“Kur ka presione ndërkombëtare apo edhe vendore, Gjykata Kushtetuese merr vendime jo kushtetuese. Ky institucion, është mbyllur komplet për opinionin publik”, tha ajo.

Për sa i përket taksës ndaj mallrave serbe e boshnjake, Haxhiu tha se Haradinaj bën gabim të madh nëse e heq. Deklaratat e BE-së dhe SHBA-së, qoftë në raport me Statutin e Trepçës e qoftë taksës, Haxhiu thotë se janë të papranueshme. Por, se a do të tërhiqet Haradinaj nga taksa, Haxhiu thotë se “Nuk e vendos dorën në zjarr, për faktin se ai lëshoi pe edhe për demarkacionin”.

Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, thotë Haxhiu, derisa pohon se opozita ende nuk i ka 61 vota për ta rrëzuar qeverinë.

“Jemi vetëm ne dhe LDK-ja, pasi PSD-ja në vazhdimësi është në linjë me qeverinë. Më shumë ata e mbrojnë qeverinë Haradinaj sesa vetë qeveria veten”, është shprehur Haxhiu, derisa ka shtuar se kjo parti (PSD), nuk është më opozitë.

Haxhiu tha se organet e Vetëvendosjes do të vendosin se a duan të hyjnë vetë në zgjedhje apo me ndonjë koalicion parazgjedhor.

“Ndryshimet në Republikën e Kosovës vijnë vetëm atëherë kur Vetëvendosje është në qeverisje dhe kur kandidati për kryeministër është nga radhët tona”, tha ajo.

Buxhetin për vitin 2019, i cili kaloi në Kuvend nga deputetët e shumicës përkrahur nga PSD-ja, Haxhiu e quajti “Buxhet asfalti”.

“Mbi 50 për qind të buxhetit shkon në asfalt, derisa qytetarët përballen me papunësi të madhe. Ishte absurde se si një subjekt që e quan veten opozitar, voton një buxhet të tillë, për faktin se ishte Projektligji më i rëndësishëm i kësaj qeverie”, tha ajo.

Ky buxhet, tha Haxhiu, s’ndan mjete as në arsim, as shëndetësi e as në avancimin e FSK-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme