Arbëri

Edhe Nisma del kundër diskutimit për Trepçën në Bruksel

Nisma Socialdemokrate ka kundërshtuar fuqishëm deklaratën e zëdhënës së Komisionit Evropian, Maja Kocijanciq për çështjen Trepçës.

Sekretari i Përgjithshëm i këtij subjekti, Bilall Sherifi, ka thënë se deklarata e Kocijançiqit ka kaluar çdo kufi të asaj që një mendje e shëndoshë mund të perceptojë këto relacione. Sherifi i ka cilësuar si absurdë kërkesën e një përfaqësuese të BE-së që për resurset e veta Kosova të vendosë në tryezë të dialogut me Serbinë.

Sherifi, që është edhe shef i GP të Nismës thotë se qëndrime të tilla cenojnë rëndë sovranitetin e Kosovës dhe nxjerrin në pak legjitimitetin e brishtë të institucioneve të BE-së si ndërmjetësuese në dialogun Kosovë- Serbi.

“Vendimi i Kuvendit të Kosovës për Trepçën është një vendim sovran për resurset natyrore të shtetit të Kosovës. Sado absurde të duken reagimet e Serbisë, njeriu mund të gjejë një shpjegim. Shteti serb ëndërron të kthejë statusin e Trepçës dhe të burimeve tjera të Kosovës në formën juridike që u imponua në kohën e Sllobodan Millosheviqit, përmes asaj që populli e cilësoi si ‘Kushtetutë të tankeve’”, ka thënë Sherifi.

Por përderisa të gjithë janë mësuar me absurditetin serb, sipas tij, që për asnjë çast nuk heq dorë nga trajtimi i Kosovës si të ishte koloni e saj, deklarata e zëdhënëses së Komisionit Evropian Maja Kocijançiq kaloi çdo kufij të asaj që një mendje e shëndoshë mund të perceptojë në këto relacione.

“Të kërkohet nga një përfaqësuese e BE-së që për resurset e veta Kosova të vendosë në tryezë të dialogut me Serbinë është më shumë se absurde! Këtu kemi të bëjmë me tendencë të hapur të forcave që dëshirojnë të kthejnë proceset historike prapa! Qëndrime të tilla që cenojnë rëndë sovranitetin e Kosovës nxjerrin në pah legjitimitetin e brishtë të institucioneve të BE-së si ndërmjetësuese në dialogun e Kosovës me Serbinë”, ka thënë Sherifi, përcjell Koha.net. “Edhe më keq se kaq! Kjo mënyrë veprimi inkurajon Serbinë në vazhdimin e politikës së saj destruktive në raport me shtetin e Kosovës dhe në këtë mënyrë pamundëson përmbylljen e dialogut në interes të paqes dhe sigurisë në këtë pjese të Evropës Juglindore!”, ka shtuar më tej ai.

Sherifi ka thënë se është detyrë urgjente e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës të alarmojë qarqet ndërkombëtare se kjo qasje cenon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe si e tillë nxitë konflikte të reja në Ballkan.

“Maja Kocijançiq dhe të gjithë mendimtarët si ajo duhet ta kenë të qartë se për çështjen e Trepçës, çështjen e Ujmanit, çështjen e Brezovicës apo cilëndo çështje që ka të bëjë me burimet natyrore të Kosovës institucionet e shtetit të Kosovës nuk negociojnë as me Serbinë dhe as me cilindo tjetër që pretendon të përzihet në çështjet që janë çështje të cilat i përkasin ekskluzivisht sovranitetit të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.