23:51

Meta i tronditur për vdekjen e Arian Dacit

Pas vdekjes tragjike nga një ortek bore i zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci, ka reaguar edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Në një postim në Facebook, Meta shkruan se është i tronditur nga humbja tragjike në Brezovicë, transmeton Koha.net.

“Jam shumë i tronditur nga lajmi i hidhur i humbjes së jetës së zv/ministrit të Diasporës së Kosovës, Arian Daci gjatë tragjedisë në Brezovicë. Në këto momente të vështira për familjen Daci, të afërmit e miqtë e tyre, u qëndroj pranë, duke shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë humbje tragjike të parakohshme që na ka lënduar të gjithëve”, ka shkruar Meta.

22:57

Rama: Çfarë trishtimi lajmi për humbjen e jetës së Arian Dacit

Vdekja e zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci ka trishtuar edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Përmes një postimi në Twitter ai ka ngushëlluar familjen Daci, derisa “përcjell shprehjen vëllazërore të keqardhjes së thellë për këtë tragjedi të madhe familjare”.

Arian Daci humbi jetën sot në Brezovicë nga një ortek i borës.

“Çfarë trishtimi lajmi për humbjen e jetës së Arian Dacit dhe e pamundur të gjenden fjalë për të ngushëlluar familjen e babën e tij, mikun tim Nexhat Daci, të cilit i përcjell shprehjen vëllazërore të keqardhjes së thellë për këtë tragjedi të madhe familjare! I paharruar kujtimi”, ka shkruar Rama.

21:47

ASHAK-u ngushëllon familjen Daci

Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e ka ngushëlluar kryetarin e kësaj akademie, Nexhat Daci dhe familjen e tij, për vdekjen e të birit Arian Dacit.

“I nderuar kryetar Daci, me dhembje të thellë e morëm lajmin për vdekjen e rëndë dhe tragjike të djalit tuaj Arianit. Në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta juve dhe mbarë familjes për këtë humbje të madhe”, thuhen në ngushëllimin e ASHAK-ut, transmeton kp.

Zëvendësministri i Diasporës, Arian Daci ka vdekur sot pas një orteku të borës në brezovicë.

21:39

Kurti ngushëllon familjen Daci

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka ngushëlluar familjen Daci për vdekjen e zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci.

Arian Daci, njëherësh i biri i ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci, ka vdekur sot në Brezovicë nga një ortek i borës, transmeton Koha.net.

“Mora vesh lajmin e trishtë të vdekjes së Arian Dacit prej një aksidenti natyror, një orteku të borës në Brezovicë. Arian Daci ishte zëvendësministër në qeverinë e Kosovës dhe djali i kryetarit të AShAK-ut, z.Nexhat Daci. I shprehim ngushëllimet tona për familjen e tij, miqtë e të afërmit, si dhe bashkëpunëtorët e tij, për këtë humbje në moshë kaq të re”, ka shkruar Kurti në Facebook.

17:45

Oda e Farmacistëve ngushëllon familjen Daci

Oda e Farmacistëve të Kosovës ka ngushëlluar familjen Daci për vdekjen e zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci, njëherësh farmacist.

Përmes një postimi në Facebook, OFK ka shkruar se ky është një lajm i rëndë dhe i vështirë për ta besuar, transmeton Koha.net.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të OFK-së:

Kolegu ynë, farmacisti Arian Daci humb jetën në mënyrë tragjike!

OFK shpreh ngushëllime të sinqerta dhe keqardhje për vdekjen tragjike të farmacistit Arian Daci!

Lajm shumë i rëndë dhe i vështirë për ta besuar.

Përherë do të mbetesh në kujtimet tona!

OFK/Arianit Jakupi

17:27

Veseli: Lajm pikëllues vdekja e Arian Dacit

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli përmes një postimi në Facebook ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci.

Daci sot ka vdekur tragjikisht nga një ortek bore në Brezovicë, transmeton Koha.net.

“Lajm tejet pikëllues vdekja e Zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci, në fatkeqësinë e ndodhur sot në Brezovicë. Në emrin tim dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime Akademik Nexhat Dacit dhe familjes së tij për humbjen e birit të tyre”, ka shkruar Veseli.

17:15

Mustafa i shpreh ngushëllime familjes Daci

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka ngushëlluar familjen Daci për vdekjen e zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci.

Arian Daci ka vdekur nga një ortek i borës sot në Brezovicë, transmeton Koha.net.

Më poshtë gjeni telegramin e ngushëllimit nga Mustafa:

E nderuara familje Daci,

Me dhimbje mësuam lajmin për tragjedinë në Brezovicë që fatkeqësisht humbi jetën djali juaj, Arian Daci.

Në emrin tim dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të gjithë miqve të Arianit, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kolegëve të tij.

Me respekt,

Isa Mustafa

Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

17:08

Limaj: Vdekja e Arian Dacit ka tronditur gjithë qytetarët

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas vdekjes tragjike të zëvendësministrit të Diasporës, Arian Dacit.

Limaj përmes një shkrimi ka thënë se vdekja tragjike e Arian Dacit ka tronditur jo vetëm familjen e tij, por të gjithë qytetarët e vendit, transmeton kp.

Ai i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta akademik Dacit, miqve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve për vdekjen e Arian Dacit.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për vdekjen e zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci. Vdekja tragjike e Arian Dacit ka tronditur jo vetëm familjen e tij, por të gjithë qytetarët e vendit. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta akademik Nexhat Dacit, familjes, miqve dhe gjithë bashkëpunëtorëve”, ka thënë Limaj.

17:03

Thaçi ngushëllon familjen Daci

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka ngushëlluar familjen Daci për vdekjen e zëvendësministrit të diasporës, Arian Daci.

Daci ka vdekur sot tragjikisht nga një ortek i borës në Brezovicë, transmeton Koha.net.

“Me pikëllim të madh kam pranuar lajmin për vdekjen tragjike të zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci, djalit të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe mikut tim, Nexhat Daci. Në këto momente shumë të rënda, si President dhe mik i familjes, në emrin tim dhe qytetarëve të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta kryetarit Daci dhe familjes së tij”, ka shkruar Thaçi.

16:58

Gashi: Vdekja e Arianit Dacit shokuese

Ministri i Diasporës, Dardan Gashi është shokuar nga vdekja e zëvendësministrit të diasporës, Arianit Daci.

Përmes një telegrami ngushëllimi Gashi ka thënë se ky është një lajm i tmerrshëm dhe njëherësh është një humbje e madhe.

Më poshtë gjeni telegramin e ngushëllimit nga Gashi:

Telegram ngushëllimi i zv. Kryeministrit, Dardan Gashi!

Me dhimbje të thellë mësova lajmin për vdekjen tragjike të Arianit në Brezovicë. Ky lajm është sa i papritur aq edhe shokues e i tmerrshëm. Ariani përpos që ishte koleg, ishte dhe mik i dashur. Ishte njeri që e donte këtë vend, i donte kolegët e tij e më së tepërmi donte jetën. Shkuarja e tij kaq e hershme në amshim është një humbje e tmerrshme për ne si kolegë, për miqtë e shumtë e për familjen e tij të cilëve ju shpreh ngushëllimet e mija më të thella në këto momente shumë të vështira. Gjithmonë do ta kujtojmë Arianin si shok të mirë, punëtor të zellshëm, zemërmirë dhe të dashur.

Do të na mungosh të gjithëve mik!

Ngushëllimet më të thella për juve, akademik Nexhat Daci dhe Zineta, Merita e mbarë familja Daci.

Paste dritë shpirti i të ndjerit!

16:28

Haradinaj i tronditur me vdekjen e zëvendësministrit Daci dhe të lënduarin Bakalli

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është tronditur me vdekjen e zëvendësministrit të diasporës, Arian Daci, njëherësh i biri i ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci.

E me këtë rast është lënduar edhe Ardian Bakalli, transmeton Koha.net.

Një i vdekur nga orteku në Brezovicë

Daci humbi jetën pas një orteku që ndodhi sot në Brezovicë.

Haradinaj ka ngushëlluar familjen Daci me këtë rast.

“I tronditur nga fatkeqësia në Brezovicë, ku humbi jetën Arian Daci, zëvendësministër i diasporës, kurse mbeti i lënduar Ardian Bakalli. Ngushëllimet më të sinqerta mikut tim, Akademik Nexhat Dacit, familjes së ngushtë të Arianit si dhe miqve e kolegëve të tij”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.