Nisma e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, e cila është përcjellë me një peticion të nënshkruar nga 17 mijë qytetarë, me synimin e bashkimit të qytetit të Mitrovicës në një komunë të vetme, nuk do ta marrë mbështetjen institucionale, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Qyteti i Mitrovicës, aktualisht administrohet nga dy komuna, ajo jugore, e banuar me shumicë shqiptare dhe komuna veriore, e banuar me shumicë serbe.
Peticioni me nënshkrimet e qytetarëve për bashkimin e qytetit të Mitrovicës, më 16 janar i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës, ndërkaq që Bahtiri kishte kërkuar që peticioni të trajtohet dhe të ketë një vendim nga institucionet për çështjen e Mitrovicës.
Por, Halil Matoshi, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e ka cilësuar si folklorike nismën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, e cila është mbështetur me peticionin e 17 mijë qytetarëve. Sipas tij, në frymën e ligjeve që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës - e cila është ndërtuar mbi parimet e Dokumentit të Ahtisarit, në bazë të së cilit është shpallur pavarësia e Kosovës - ekziston vetëm një qytet i Mitrovicës, i cili administrohet nga dy komuna, jugore dhe veriore.
“Ky është një interes nacional i shtetit dhe i organeve qendrore dhe nuk i përket asnjërit prej kryetarëve të komunave të Mitrovicës. Është një nismë folklorike, e mbështetur thjeshtë në folklor. Unë nuk e di nëse ka ndonjë mbështetje apo vetëm retorikë, por nuk e besoj që mund të ketë mbështetje institucionale, përveç mbështetje përmes retorikave. Pakoja e Ahtisarit nuk varet nga kryetarët e komunave, por nga institucionet qendrore të shtetit. Do të thotë, një çështje tillë ka të bëjë me Kushtetutën e vendit dhe jo me vullnetin politik ose dëshirat e mira të dikujt”, theksoi Matoshi.
Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, më 22 janar, ka shprehur mbështetjen për bashkimin e qytetit të Mitrovicës.
Në anën tjetër, Goran Rakiq, kryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore, e ka kundërshtuar që në fillim nismën e Bahtirit.
Gjerësisht lexoni në Radio Evropa e Lirë