Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka parashikuar “pako atraktive financiare” për punëtorët që vullnetarisht duan të largohen nga vendet e tyre të punës në Telekom, pas privatizimit.
Në Interaktiv të KTV-së, Lluka ka shpjeguar procesin që do të çojë te privatizimi. Procesi i privatizimit, sipas Llukës, do të ndodhë kah fundi i vitit, teksa në gjashtë muajt e parë fokusi do të jetë në ristrukturim. Lluka ka thënë se Qeveria ka një marrëveshje me BERZH-in lidhur me Telekomin duke treguar se fillimisht bëhet ristrukturimi, pastaj bëhet investimi nga BERZHI-i për të përgatitur rrugën drejt privatizimit. Në këtë proces të tërësishëm, Lluka ka thënë se qeveria është dashur të zotohet për privatizim të Telekomit. Ai ka thënë se privatizimi është zgjidhja më e mirë e mundshme për Telekomin.
Duke folur për mundësinë e largimit të punëtorëve pas privatizimit, Lluka ka parashikuar një shembull të ngjashëm me atë të Telekomit të Kroacisë.
“Kam pas diskutime të vazhdueshme me sindikatën. E vlerësoj shumë dialogun mes qeverisë dhe sindikatës. I kam siguruar se çdo pjesë e këtij rrugëtimi deri te privatizimi interesi i punëtorit do të përfaqësohet ashtu siç duhet. Do të marrim shembull Telekomin e Kroacisë. T-Mobile ka ofruar paketa atraktive për ata që largohen vullnetarisht. Janë paketa financiare, si paga avance. Janë larguar më shumë njerëz se që ata kishin planifikuar. Kjo varet që nga gjatësia kohore në atë punë”, ka thënë ai duke shtuar se numri i punëtorëve, 2500, është tejet i madh për Telekomin, “që ka qarkullim të ngjashëm me konkurrencën e ka katërfish më shumë punëtorë”.
Lluka ka thënë se qeveria planifikon që të mos bëjë privatizim të plotë të Telekomit, por që të mbetet aksionare në vlerë nga 25 deri 40 për qind.
Sa i përket kompanive të interesuara, Lluka ka përmendur disa prej tyre, përfshirë Orange nga Franca e A1-shin austriak. Këtu ka shtuar se do të bëhet më shumë marketing për të tërhequr edhe kompani tjera.
Ai s’ka mundur të përcaktojë vlerën përfundimtare me të cilën mund të privatizohet Telekomi, por ka thënë se “ekzistojnë mundësi të ndryshme”. “Ne do të shohim formën më të mirë, do të varemi nga vlerësimi i pavarur i Telekomit”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për pakënaqësitë e minatorëve të Trepçës, derisa ka konfirmuar se kanë krijuar një draft final me të cilën janë të kënaqur të gjithë.
“Më 2018 kemi krijuar një bord të Trepçës dhe ky ka krijuar një draft që është dërguar në Qeveri. Më pas minatorët nuk ishin të kënaqur, dhe më pas krijuam dy grupe punuese për të bërë një raport. Sot kemi bërë një draft që janë pajtuar të gjithë për versionin final. Si të tillë kemi bërë kërkesë dhe është thirr një mbledhje për të premten me ç’rast do të flitet vetëm për statutin e Trepçës”, ka thënë Lluka.
Sipas tij fabrika e pajimeve duhet të futet në asetet e Trepçës, dhe natyrisht Bordin nuk e fajësojë pse ajo ka mbet jashtë pasi një studim fizibiliteti e cakton këtë.
Dhe kjo është arritur me draftin e ri, ka thënë ai.
“Një minatorë nuk mund të punojë deri në 65 vjeç, por deri në 55 vjeç, do të ketë sigurim shëndetësor i përjetshëm. Këto janë sipas kërkesave të minatorëve. Rreth 1300 punëtorë dhe mbi 2000 në pjesën veriore. Numri i punëtorëve shkon rreth 4 mijë punëtorë”, ka thënë ai.
Djegia e trafos thotë se ishte një problem teknik.
“Ky ishte një problem teknik, djegia e trafos që ka rëndësi shumë të rëndësishme, ajo ka pasur djegie që ka lënë tërë Trepçën dhe gjysmën e Mitrovicës për rrymë. Më pas është siguruar një energji alternative sa për të nxjerrë minatorët. Gjendja momentale është stabile, megjithatë është shumë më e mirë situata. Bordi i Trepçës është i përkohshëm, dhe është duke punuar që disa muaj”, ka thënë Lluka.
Derisa për Kosovën e Re shton se tani po punohet me OPIK-un amerikan.
“Banka Botërore është jashtë ekuacionit, tani po punojmë me OPIK-un amerikan. Deri tani ka pasur buxhet deri më 23 miliardë dollarë. Trump e ka rritur buxhetin e saj në 60 miliardë dollarë për shkak të konkurrencës. Ka interes që ta financojë projektin tonë deri në 500 milionë dollarë”, ka thënë Lluka.
Ai thotë se ka edhe të interesuar të tjerë që do të investojnë nga Japonia, Polonia etj që pritet të investojnë deri në 1 miliard që e mbulon tërë projektin. Derisa shton se Termocentrali nuk do të ndikojë në ndotjen e ajrit.
“Jemi pozitiv se do të shkojë gjithçka në rregull për finalizimin e këtij projekti. Kemi vendosur që të kushtojë më shtrenjtë por të jetë më e shëndetshme për vendin. Termocentralet nuk ndikojnë aq shumë në ndotjen e ambientit”, shprehet ai.
Ai ka shtuar se, “rreth 4.8 për qind rritje ekonomike do të ketë Kosova sipas Bankës Botërore, Nëse arrijmë të ecim përpara me Trepçën, me Telekomin e Kosovën e Re. Të gjitha këto ndikojnë në rritjen e GDP-së”.
Derisa për investimet e huaja thotë se janë të çrregullta.
“Investimet e huaja direkte, nuk kemi stabilitet në këtë aspekt. Kemi një trajektore shumë të çrregullt. Ka vit që kemi 100 milionë euro, apo një vit tjetër që ka 300 milionë euro”, është shprehur ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.