Arbëri

Sherifi i tha Apostolovës se Kosova me taksën u vetëmbrojt nga agresioni i Serbisë

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, i shoqëruar nga deputetë të këtij subjekti kanë zhvilluar sot një takim me shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Sipas njoftimi për media të Grupit Parlamentar të Nismës në këtë takim është diskutuar për çështjet politike në vend.

Ndërsa znj. Apostolova ka theksuar prioritetet e BE-së për Kosovën në vitin 2019, bëhet e ditur se kryetari i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate z. Bilall Sherifi theksoi se Kosova ka përfunduar gjitha detyrimet për liberalizimin e vizave dhe pret që vendet e BE-së në pjesën e parë të vitit 2019 t'iu mundësojnë qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë.

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, z. Sherifi tha se qëndrimi i Nismës Socialdemokrate në dialog është i ditur. Ne nuk pranojmë që temë diskutimi të jetë ndarja e territorit apo shkëmbimi i territoreve. Me formimin e Ekipit Shtetëror për dialog me Serbinë, bashkëdrejtues i të cilit është kryetari i Nismës z. Fatmir Limaj, besojmë që do të ketë progres në këtë çështje, tha ndër tjerash z. Sherifi.

Lidhur me taksën e vendosur ndaj Serbisë dhe B&H-së, kryetari i Grupit Parlamentar Sherifi tha se është një vetëmbrojtje ndaj veprimeve që ka bërë ndër vite Serbia ndaj Kosovës. Taksa nuk duhet të largohet derisa pala serbe të ndryshojë veprimet që ka bërë deri tani ndaj Kosovës. Çdo popull ka të drejtë të mbrohet kur sulmohet, ne po mbrohemi nga sulmet agresive që po bën Serbia ndaj Kosovës, tha ndër tjerash z. Sherifi për taksën ndaj Serbisë dhe B&H-së.