Arbëri

“Zgjedhja e Mufail Limanit si U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, e jashtëligjshme”

Bordi i RTK-së Radiotelevizionit të Kosovës ka zgjedhur sot me 6 vota për Mufail Limanin, ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

Por, sipas burimeve brenda RTK-së, e tërë kjo po del të jetë e jashtëligjshme.

“Kjo, pasi që konkursi i dhjetorit që lamë pas, dështoi për shkak se 5 kandidatët nuk i plotësuan kriteret e përcaktuara nga bordi, e ky i fundit nuk po e rishpall konkursin edhe pse ka kaluar afati ligjor. Pra, nuk ka arsye ligjore që RTK të vazhdojë menaxhimin me u.d, por ka obligim ligjor që ta rishpall konkursin për drejtor të përgjithshëm të RTK-së. E në konkursin i cili ishte shpallur në dhjetor, ishin vënë kritere të jashtëligjshme, vetëm sa për ta dështuar konkursin, i cili detyrimisht duhej të shpallej”, kanë thënë këto burime për KTV-në.

E tërë kjo situatë dhe lojë për të blerë kohë, sipas sqarimit të disa gazetarëve të transmetuesit publik , po bëhet duke shpresuar se do të miratohet ligji i ri i RTK-së, i cili ia lejon drejtorit tashmë pa mandat, Mentor Shala që të rikandidoj sërish.

“Por, ky ligj nuk po gjen përkrahjen e asnjë partie politike në Kuvend, përveç deputetëve të PDK-së, prandaj si i tillë qe 7 herë ka dështuar të miratohet në Kuvend, por kryesuesi ende nuk e ka hequr nga rendi i ditës dhe i njëjti ligj është futur edhe në seancën e radhës si pikë e rendit të ditës. Duke shfletuar konkursin e herës së kaluar, përkatësisht atë të vitit 2015, shihet se si kriter ka qenë përvoja prej 3 vitesh në menaxhimin e mediave apo fushave tjera relevante. E në konkursin që u shpall në dhjetorin që lamë pas si kriter u fut përvoja 6 vjet në pozita të larta menaxhuese në media transmetuese, gjë që është në kundërshtim me ligjin e RTK-së madje bie ndesh edhe me konkursin e vitit 2015”, kanë thënë këto burime.

Prandaj, sipas tyre, duke parë se në konkursin e vitit 2015 kriteret në konkursin për drejtor të përgjithshëm ishin 3 vjet përvojë në menaxhimin e mediave apo fushave tjera relevante, duke parë se në konkursin e fundit (dhjetor 2018), kriteret ishin vënë 6 vjet në pozita të larta menaxhuese në media transmetuese dhe duke parë se ligji i RTK-së përcakton qartë se konkurrenti për drejtor të përgjithshëm duhet të ketë përvojë në media apo fusha tjera relevante pa caktuar vite apo pozita, “del se në vazhdimësi konkursi për drejtor të RTK-së është aranzhuar vetëm për një emër, Mentor Shala, varësisht prej viteve të përvojës që ka fituar ai”.

“Si i tillë ky konkurs ishte shpallur në dhjetor 2018, vetëm për të dështuar sepse Shala vazhdimisht i bën presion Kuvendit që ta kalojë ligjin e ri, i cili i jep mundësi ri-zgjedhjeje të pakufizuar drejtorit të përgjithshëm. Madje, këtyre ditëve përmes disa sindikalistëve ka kërcënuar edhe me protesta nëse nuk kalon ky ligj. Prandaj, zgjedhja e sotme e Mufail Limanit si u.d i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së është bërë jashtëligjshëm, sepse Bordi ka për obligim ta rishpallë konkursin, për çka e kanë shkelur afatin ligjor, e jo të vazhdojë menaxhimin me ushtrues detyre, madje edhe Limani si ushtrues detyre është zgjedhur me 6 vota për, e që në kushte normale u.d zgjedhet me 7 vota. Por, në këtë rast, Bordi nuk ka hapësirë ligjore për të zgjedhur u.d, por për të rishpallur konkursin.

Në fund është thënë se edhe Komisioni për media i Kuvendit të Kosovës, e kishte thirrur javë më parë Bordin e RTK-së në përgjegjësi për kriteret e vëna jashtëligjshëm në konkursin e dhjetorit që lamë pas, “por ky bord, duke përjashtuar 3 anëtarët që kanë votuar kundër, ka vazhduar të bëjë shkelje tjera në këtë proces të zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së”.