Arbëri

“Drenica” e Durrësit, 20 vjetori i Qendrës së mobilizimit të luftëtarëve të UÇK

Në themelet e ngjarjeve të mëdha të historisë më të fundit të popullit shqiptar, si një pasuri e çmueshme , e pashlyeshme dhe e paharrueshme në histori qëndron dhe do të mbetet edhe qendra më e madhe dhe më e rëndësishme e rekrutimit dhe e mobilizimit të luftëtarëve të UÇK-së, “Drenica “ në Durrës, e cila u ngrit dhe filloi të funksionojë me 1 prill të vitit të lavdishëm për Kosovën, të vitit 1999, menjëherë pas fillimeve të bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavi për Çlirimin e Kosovës të cilat filluan me 24 Mars 1999.

Pra, përderisa viti 1999 është Viti i NATO-s , i 20 vjetorit të ndërhyrjes së saj, ashtu sikurse është Viti 1999 edhe Viti i Konferencës së Rambujesë, edhe Viti i Çlirimit të Kosovës me 12 Qershor 1999, po kështu 1999-ta, Prilli i 1999-ës është edhe viti i mobilizimit të madh të luftëtarëve nga trojet gjithëshqiptare dhe sidomos nga diaspora te “Drenica” e Durrësit e familjes patriotike të Sadri Kapitit, të cilën avokati i njohur, politikani i shquar dhe patriot, Spartak Ngjela, ka deklaruar se: ”Kjo është një Fortesë, një Kështjellë e pamposhtur, që politikanët nuk e kanë shumë për qejfi… “Drenica” e Durrësit dhe familja atdhetare Kapiti, meritojnë shumë , por, mjerisht, kjo është politika jonë e sotme”.(Spartak Ngjela , Durrës 5 Gusht 2008). Kjo ngjarje që ka të bëjë me Qendrën “Drenica” ka rëndësinë e saj si një faqe e lavdishme në historinë tonë kombëtare, pasi këtu duke iu përgjigjur thirrjes dhe kushtrimit për liri, mbërritën me mijëra e mijëra vullnetarë nga të gjitha shtetet ku kishte diasporë Shqiptare, nga Perëndimi, Gjermania, Italia, Franca, Britania, Suedia, Austria e deri nga SHBA, Australia e Kanadaja si dhe luftëtarë patriotë e liridashës nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Kosova Lindore. Qendra “Drenica” e Durrësit të sjell në kujtesë Lidhjen gjithëkombëtare të Prizrenit. “Drenica “ e Kapitëve të Durrësit u bë epiqendra kryesore që tërhoqi vëmendje jashtëzakonisht të madhe ndërkombëtare, ku për çdo ditë aty instaloheshin mediat kryesore ndërkombëtare perëndimore dhe botërore; ku nga aty pasqyrohej mbërritja dhe rekrutimi i luftëtarëve të UÇK-së, nga aty ato merrnin informacion edhe për gjendjen dhe situatën në Kosovë prej dëshmitarëve realë dhe okularë pasi për çdo ditë mbërrinin te “Drenica” e Durrësit qytetarë të dëbuar e të përndjekur nga makina ushtarake vrastare dhe genocidiste serbe; ku te”Drenica” e Kapitëve të Durrësit përveç vullnetarëve të UÇK-së bëhej edhe takimi e bashkimi i familjeve kosovare. Te “Drenica” e Durrësit bëhej takimi edhe i prindërve e pjesëtarëve të familjeve me bijtë dhe me bijat e tyre që vinin vullnetarë nga perëndimi për t’iu bashkangjitur luftëtareve të UÇK-së. “Drenica” ka qenë si të thuash pika e parë e kontaktit , si porti dhe porta pritëse dhe përcjellëse panshqiptare ku vinin, priteshin e përcilleshin në ditë për në betejë qindra vullnetarë e luftëtarë të lirisë ashtu sikurse me të drejtë shkrimtari Thanas Mustaqi e ka quajtur “Drenicën” e Durrësit “Mekë atdhedashurie”. Prej “Drenicës” bëhej ndërkombëtarizimi mediatik i Çështjes Kombëtare Shqiptare dhe i Ushtrisë më të re të Europës, i UÇK-së, karakteri luftarak dhe çlirimtar i një lufte burrërore, të pastër dhe heroike e cila kishte si aleat të saj Fuqinë ushtarake më të madhe botërore, NATO-n e drejtuar nga SHBA.

Nga “Drenica” e Durrësit UÇK- ja u quajt me meritë prej sekretarit të saj si këmbësoria e NATO-s. Te “Drenica” e Durrësit mbërriti Batalioni i Atlantikut nga SHBA. Te “Drenica” e Durrësit mbërritën dhe iu bashkangjitën vullnetarëve të UÇK-së shumë e shumë vullnetarë me kombësi të huaj nga vende e shtete të Europës Perëndimore të cilët e kishin parë dhe kishin mësuar për qendrën e rekrutimit “Drenica” të Durrësit nga mediat e televizionet kryesore europiane e botërore, mediat të cilat mësonin dhe informonin opinionin ndërkombëtar për masakrat çnjerëzore që bënte ushtria kriminale serbe me torturimin, vrasjet, djegiet , rrënimin dhe shkatërrimin e shtëpive, fshatrave dhe të qyteteve në Kosovë.

Për “Drenicën” e Durrësit është folur, shkruar, filmuar dhe dokumentuar shumë sidomos nga ish-vullnetarë të UÇK-së, nga shkrimtarë, gazetarë, media kombëtare e ndërkombëtare, intelektualë, historianë, akademikë, ushtarakë , familjarë dëshmorësh dhe heronjsh nga Shqipëria, Kosova e diaspora.

Për “Drenicën” e Durrësit, për këtë qendër të historisë sonë kombëtare dhe për Familjen e Sadri Kapitit, për kontributin e saj për Kosovën është shkruar edhe një libër voluminoz i autorit Bedri TAHIRI me titull “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”, një libër hulumtues, evidentues dhe vlerësues i historikut kombëtar si një pasuri e madhe enciklopedike dhe e jashtëzakonshme gjithëkombëtare ilustruar me fotografi, biseda, intervista me personazhe realë dhe dëshmitarë të veprimtarisë së madhe patriotiko-kombëtare të familjes së Sadri Kapitit , bijve dhe bijave të tij të cilët vunë gjithçka në shërbim të atdheut e të kombit për lirinë e Kosovës ku po citojmë disa prej tyre: “Drenica” e Durrësit është qendra kryesore e frymëzimeve atdhetare… është Tempull atdhetarie. Më vjen mirë që kjo shtëpi lirie e tempull i atdhetarisë u pagëzua nga poetët dhe artistët. Ajo e ndërshqiptarizoi këtë vend, nga i cili buroi jetësimi i çështjes sonë madhore , çlirimi kombëtar”. (Nga poeti dhe akademiku i shquar Xhevahir Spahiu). “Emri i nderuar “Drenica”do të kujtohet gjithashtu edhe si kontribut atdhetar e patriotik i djemve të familjes së respektuar Kapiti. Ajo meriton që të bëhet një qendër e edukimit atdhetar dhe patriotik të brezit të ri”. (Nga Bujar Muharremi, ish-diplomat e ambasador i Shqipërisë në Kosovë)

numër i madh personalitetesh të lartë, akademikë dhe intelektualë si dhe shumë shoqata kombëtare kulturore, artistike e patriotike kanë propozuar te institucionet më të larta të Shtetit Shqiptar që “Drenica” të shpallet muze, dhe po gjithashtu kanë propozuar edhe për dekorimin e familjes së Sadri Kapitit për kontributin e madh të tyre dhënë për çështjen kombëtare/ Ilir Malindi & Xhevahir Cirongu - "Shekulli".