Arbëri

14-vjetori i Pavarësisë: Parakalim i FSK-së në shesh, homazhe në Prekaz e seancë solemne në Kuvend

Në përvjetorin e 14-të të Pavarësisë janë paraparë disa ceremoni. Krahas parakalimit të FSK-së në shesh pas dy vjetësh pauzë, do të ketë edhe seancë solemne në Kuvend. Por me organizimet nuk janë të kënaqur qytetarët.

Pas dy vjetësh, qytetarët do të kenë mundësi të shohin pjesëtarët e FSK-së e ata të Policisë së Kosovës në qendër të kryeqytetit.

Në kuadër të organizimit për shënimin e 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është paraparë edhe parakalimi i tyre në sheshet e Prishtinës, e që për shkak të pandemisë nuk është bërë në dy vjetët e kaluar.

Ndonëse në fuqi janë ende masat anti-Covid, nga Ministria e Mbrojtjes kanë bërë thirrje për dalje masive të qytetarëve në festimin e Pavarësisë.

Në anën tjetër, qytetarët thonë se kanë pritur organizim më të mirë të shënimit të Pavarësisë e atmosferë më festive.

“Organizimi nuk është në nivelin e kënaqshëm, sepse unë jam entuziast dhe kam dëshirë të ketë manifestim të madh të kësaj date”, ka thënë Fetah Dragusha.

Një tjetër qytetar thotë se për një gjë të tillë ka ndikuar situata aktuale në vend.

“Arsye tjetër janë problemet që janë sociale në Kosovë, ne në Kosovë kemi shumë probleme sociale tash për tash përveç këtyre politike edhe këto janë çështje të cilat mendoj se i preokupojnë njerëzit, për shembull buka ma shtrenjtë, udhëtimi më i shtrenjtë, nafta më e shtrenjta, shërbimet ma të shtrenjta, probleme ndikojnë në përgjithësi në atmosferën e njerëzve individualisht për me mujt me mbërri me festu”, ka thënë Seremb Gjergji.

E një tjetër thotë se duhet të punohet më shumë me rininë, derisa krahason ata me gjeneratën e tij.

“Patriotizmi te të rinjtë nuk është i shprehur si te gjenerata e mesme, por ka me ardhë koha si në perëndim e s`ka me i interesu as kur është festë. Do ta shtyjmë edhe nja 5-6 vjet, 10 vjet mos ka me i interesu kurrkujt për këtë punë. Për mua është festë madhore dhe e respektueshme por duhet me punu edhe me të rinjtë”, ka deklaruar Afrim Gashi.

Përveç parakalimit të FSK-së, në agjendën shtetërore janë paraparë edhe një varg organizimesh të tjera, në mesin e të cilave homazhe e seanca solemne e Kuvendit të Kosovës.