Arbëri

Japonia përkrahë financimin e projektit Kosova e Re

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka priti sot delegacionin japonez nga Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC), në krye me drejtorin e divizionit për financim të projekteve energjetike, Ryuta Suzuki, me të cilin bisedoi për sektorin e energjisë dhe projektin termocentralin Kosova e Re.

Lluka potencoi se Qeveria e Kosovës vazhdon të përballet me probleme energjetike për shkak të vjetërsisë së kapaciteteve aktuale energjetike siç janë Kosova A dhe Kosova B si dhe theksoi rëndësinë që projekti për ndërtimin e Kosovës së Re ka për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Contour Global planifikon të vendosë gurthemelin e termocentralit të ri gjatë gjysmës së parë të këtij viti dhe ta përfundojë deri në vitin 2023, ku me fillimin e operimit të termocentralit Kosova e Re, njëkohësisht të mbyllet Kosova A dhe të përmbyllet rehabilitimi i termocentralit Kosova B”, tha ai.

Ndërsa, Ryuta Suzuki, tha se Kosova ka rëndësi strategjike për vendin e tyre dhe se Japonia është e interesuar që të përkrahë financimin e projektit Kosova e Re, për shkak se ky projekt ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Suzuki theksoi se edhe pse prodhimi bazë i termocentralit Kosova e Re do të jetë me qymyr, ai do të ndihmojë në realizimin e projekteve të energjisë efiçiente siç është edhe zgjerimi i projektit të ko-gjenerimit dhe rritjes së kapacitetit me qëllim të përmirësimit të sistemit të ngrohjes qendrore për banorët e Prishtinës dhe komunave përreth, por edhe mbrojtjes së ambientit, transmeton KsP.

Delegacioni japonez është informuar edhe rreth aktiviteteve dhe investimeve në energji të ripërtërirë, ku Kosova është zotuar të ketë 25% të energjisë nga energjia alternative si dhe rreth projektit të sistemit të ngrohjes me biomasë në komunën e Gjakovës, dhe mundësinë e zhvillimit të projekteve të ngjashme në të gjitha komunat tjera.