Arbëri

Haliti: Për marrëveshjen Kosovë-Serbi nuk do të pyeten shumë dy shtetet

Për marrëveshjen historike mes Kosovës e Serbisë nuk do të pyeten shumë dy shtetet, sipas nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

Sipas tij, marrëveshja do të arrihet brenda këtij viti dhe kjo vetëm falë presion të madh që do të bëhet nga diplomacia perëndimore.

“Kemi politikën zyrtare të SHBA-së e cila është deklaruar që ne pranojmë dhe do të kishim dëshirë që të bëhet një marrëveshje historike mes Kosovës e Serbisë, por nuk do të pranojmë çfarëdo marrëveshje. Balancim do të thotë që Serbia ka disa interesa të caktuara në Kosova, po them nga ajo që po dëgjoj në media të Serbisë, të ketë një status të veçantë përmes kishave ortodokse që janë në Kosovë. Në një mënyrë ose tjetrën mundohen që t’i paraqesin të bashkuara me Serbinë ato katër komuna serbe, njëjtë siç ne po themi për bashkim të Luginës se Preshevës”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së. “Po besoj që do të jetë një presion tejet i madh që të arrihet marrëveshja dhe pak do të pyeten Kosova e Serbia. Të dyja janë shtete të vogla dhe të dyja janë shtete problematike”.

Sipas Halitit, marrëveshja do të përmbyllet me një takim të përbashkët nga i cili do të dalin me nënshkrime.

“Implikimi ose diplomacia perëndimore, shtete të veçanta, veçanërisht ata që ne i konsiderojmë miq, do të angazhohen që të arrihet marrëveshja dhe besoj që do të ketë edhe një takim të përbashkët nga i cili do të dalin me firma”, ka thënë ai.