Kurti: Lugina e Preshevës duhet të ketë përfaqësues në dialog, bisedimet të bëhen mbi baza reciprociteti

Kurti: Lugina e Preshevës duhet të ketë përfaqësues në dialog, bisedimet të bëhen mbi baza reciprociteti

05 January 2019 17:16

Lëvizja Vetëvendosje thotë se Lugina e Preshevës duhet të ketë një përfaqësues në delegacionin në bisedimet me Serbinë, derisa thekson se bisedimet duhet të bëhen mbi baza të reciprocitetit.

Përmes një postimi në Facebook kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti bën të ditur se “në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, bashkë me deputetin Liburn Aliu, patëm rastin të presim kryetarin e Kuvendit Komunal të Preshevës, Sami Salihu dhe sekretarin e këtij Kuvendi, Avni Aliti”.

Ai më tutje shton se nga Salihu, u informuan për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës si dhe shqetësimet e tyre, tani para rifillimit të negociatave me Serbinë.

“U pajtuam që çfarëdo rifillimi i negociatave me Serbinë, mund të jetë i rrezikshëm nëse nuk bazohet mbi marrëdhënie reciprociteti. Miratimi i Rezolutës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku nuk përmenden fare të drejtat e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, reciprociteti me Serbinë si dhe mospërfshirja e asnjë përfaqësuesi nga këto tre komuna shqiptare nën Serbi në delegacion të bisedimeve, na bëjnë të brengosemi për përsëritjen e gabimeve të deritanishme dhe lënien e sërishme në harresë të këtyre qytetarëve shqiptarë”, ka shkruar Kurti, transmeton Koha.net.

E Vetëvendosje mbështet Salihun që Lugina të ketë një përfaqësues në dialog.

“Ne mbështesim, qëndrimin e Salihut që në përbërje të delegacionit të Kosovës të ketë edhe përfaqësues të qytetarëve të Luginës së Preshevës, që bisedimet të bëhen mbi baza të reciprocitetit dhe ku shtrohet çështja e të drejtave të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke pas parasysh Deklaratën e vitit 2006 të përfaqësuesve Kuvendeve Komunale të të tre komunave si dhe referendumin e vitit 1992”, ka shkruar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme