Arbëri

Homazhe në Prekaz, Jashari kujton ditët e para 27 viteve me familjen e tij

Descriptive Text

Me rastin e 27 vjetorit të sulmit të parë ndaj familjes Jashari nga forcat serbe, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, kryetar të komunave dhe qytetarë kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Me këtë rast këshilltari i kryeministrit, Jahja Lluka ka shprehur admirim ndaj sakrificës së familjes Jashari me porosinë se i gjithë populli i Kosovës është pas tyre.

“Ne e kemi obligim jo vetëm si institucione por edhe si qytetarë që asnjëherë mos ta harrojmë sakrificën e gjakun e derdhur për këtë liri që ne sot e gëzojmë”, ka thënë Lluka, raporton kp.

Për të bërë homazhe në Prekaz kishte ardhur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Gashi i cili tha se në të ardhmen veteranët do kenë më shumë përkrahje nga institucionet e vendit.

“Po bëjë homazhe në varrezat e Jasharajve dhe në vendin e dëshmorëve dhe të çojmë amanetin e tyre në vend duke e falënderuar mundin dhe gjakun e tyre”, u shpreh Gashi.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se 27 vite më parë u ndezën shkëndijat e para për lirinë që e gëzojmë sot. Ai e ka demantuar lajmin se nuk do ketë aktivitete për të shënuar Ditën e Veteranëve.

“27 vite më parë u ndezën për herë të parë shkëndijat e lirisë. Ku ne si veteranë e kemi këtë ditë të shenjtë dhe pikërisht sot me Qeverinë dhe ne si organizatë e veteranëve që është organizuar kjo ditë të festohet, sot ka aktivitete në tërë territorin e Kosovës, në të gjitha varrezat e dëshmorëve të vendit do të bëhem homazhe”, ka deklaruar ai.

Homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” kanë bërë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Drejtori i Përgjithshëm, Rashit Qalaj tha se Policia e Kosovës do e luftojë krimin dhe do të ofrojnë siguri duke kujtuar ata që ranë për lirinë e Kosovës.

“Nëse ne nuk e kujtojmë të kaluarën tonë, vlerat tona, nuk kemi edhe të ardhme, ne si Polici e Kosovës do të vazhdojmë punën që qytetarëve t’u sigurojmë shërbime sa më të mira, që qytetarët e Kosovës të jetojnë të lirë që sa më pak të ketë krim, normalisht duke kujtuar ata që kanë kontribuuar që këtë ditë ta gëzojmë ne sot”, tha ai.

Kurse, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari derisa e kujton ditën e sulmit ndaj familjes së tij thotë se sot janë shpirtërisht më mirë sepse Kosova ka pavarësinë dhe ushtrinë e saj.

“Para 27 viteve ishte më ftohtë, ishte borë, acar sot është një ditë më e ngrohtë edhe fizikisht edhe shpirtërisht sepse sot bëmë nderime duke e ditur se 27 vite para ku kemi qenë sot jemi shtet, kemi pavarësinë, kemi Kushtetutën, kemi Ushtrinë e shumë gjëra të mira që janë duke i ardhur vendit tonë’, u shpreh Jashari.

Për të shënuar 27 vjetorin e sulmit të forcave të armikut ndaj familjes Jashari homazhe në kompleksin memorial "Adem Jashari", kanë bërë edhe i pari i Obiliqit, Xhafer Gashi dhe kryetari i Drenasit, Ramiz Ladrovci, të cilët e çmuan sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve që kanë rënë për lirin e Kosovës

Në pasditen e sotme Dita e Veteranëve do shënohet me një ceremoni ku pjesëmarrjen e tij e ka paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.