Deda: Një president që e refuzojnë dy të tretat në Kuvend s’mund të ketë rol thelbësor në dialog Foto: Koha

Deda: Një president që e refuzojnë dy të tretat në Kuvend s’mund të ketë rol thelbësor në dialog

Fortuna Shkodra Fortuna Shkodra 29 December 2018 13:00

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, vitin 2019 e parasheh edhe më të rëndë se 2018-ën, në aspektin politik të fatit të Kosovës. Thotë se do të jetë përcaktues për të ardhmen e vendit.

Deda në “Intervistën e Javës” në Koha.net, thotë se arsyeja pse ai ka paralajmëruar mundësi që të mos kandidojë më në Kuvend, është kryekëput i lidhur me integritetin territorial të Kosovës.

Opozita thotë se nuk po funksionon. Madje, thotë se po ndodh një luftë shumë më agresive ndërmjet partive opozitare, sidomos mes VV-së e PSD-së, e tani edhe LDK-së ndaj PSD-së, sesa e gjithë opozita ndaj Qeverisë e ndaj presidentit Hashim Thaçi.

Kur flet për dialogun me Serbinë e për formimin e Ekipit Negociator, Deda thotë se aty duhet të përfshihen të gjitha partitë politike. Në këtë rrafsh, rolin e PSD-së, si partia e vetme opozitare në dialog, Deda e vlerëson në funksion të zhbllokimit të situatës politike.

Megjithatë, Deda nuk është fare optimist për një kualitet të marrëveshjes me Serbinë pasi thotë se SHBA-ja dhe BE-ja e humbën durimin me politikën e Kosovës dhe e “emëruan” Thaçin për përgjegjësin kryesor në dialog me Serbinë.

“Eksponentin kryesor të ndarjes së Kosovës na e bënë zyrtarin primar për dialog me Serbinë. E gjithë Kosova është peng e mbizotërimit në politikë të mentalitetit marksist-leninist që e refuzon konsensusin si vlerë, gjë e kultivuar me sukses nga PDK deri më 2017, e sot për fat të keq nga një pjesë e opozitës”, ka thënë ndër të tjerash Deda.

Koha.net: Z.Deda para se të flasim për zhvillimet politike në vend, ndalemi pak tek paralajmërimi juaj për largim nga skena politike, më saktësisht nga kandidimi në Kuvend. Më thoni çka më saktësisht ju shtyri të merrni këtë vendim dhe si pritet ta shohim Ilir Dedën në të ardhmen? Si e ka pritur partia vendimin tuaj?

Deda: Faleminderit në pyetje. Unë nuk kam paralajmëruar largim nga skena politike, por mundësi që të mos kandidoj për Kuvend pasi që partitë politike janë duke refuzuar që ta ndalin projektin shkatërrues të ndarjes së Kosovës. Kjo është shprehje e revoltës personale ndaj papërgjegjësisë së skajshme të shumicës së establishmentit politik që më shumë merret me politikë ditore, se sa me atë strategjike për shtetësinë e Kosovës. Kandidimi apo moskandidimi im është kryekëput i lidhur me integritetin territorial të Kosovës. Shteti jonë është në gjendje dramatike, shkallën e të cilës dramë po e amortizon zhurma e kotë e shumicës së partive, ndërsa po përkeqësohet gjendja e Kosovës në rrafsh ndërkombëtar në lidhje me dialogun. Nuk e di çka duhet të ndodhë më e që vendimmarrësit në Qeveri e kolegët në opozitë të kuptojnë mesazhin e Presidentit të paparashikueshëm amerikan z. Trump që e cilëson mosarritjen e marrëveshjes me Serbinë për Kosovën me “pasoja tragjike”, ndërsa në rastin e Serbisë e cilëson si “jashtëzakonisht për keqardhje”. Mos duhet të na vijë mesazhi që po mbyllet kampi Bondsteel dhe që do të tërhiqet kontingjenti amerikan i KFOR-it që t’i thërret mendjes politika jonë? Kjo është përmbledhja më e mirë e gjendjes në të cilën jemi, dhe dallimin thelbësor për veprimet politike dhe pasojat para nesh, e që nuk po mbërrijmë ta bëjmë temë kyçe të debatit politik, por po bëhemi vrojtues e vajtues të situatës së pashpresë politike në Kosovë. Mos të harrojmë që pasojat e epilogut të këtij procesi do t’i bartim të gjithë pa dallim. Unë nuk kam hyrë në politikë me projekt shkatërrimi të shtetësisë, përkundrazi.

Koha.net: Çfarë prisni të ndodhë me Alternativën?

Deda: Alternativa duhet të vendosë për çfarë lloj politike është, dhe ky vendim edhe do të ndikojë në të ardhmen politike të partisë dhe profilizimit të saj.

Më shumë ka luftë mes partive opozitare sesa e gjithë opozita ndaj Qeverisë e Thaçit, thotë Deda

Koha.net: Meqë jeni opozitë, tashmë është formuar Ekipi Negociator për bisedime me Serbinë. Janë ndarë 300 mijë euro nga Qeveria. Është përfshirë edhe PSD-ja. Si e komentoni këtë veprim dhe si e shihni PSD-në në raport me koalicionin PAN?

Deda: Të gjitha partitë politike duhet të jenë të përfshira në Delegacionin Shtetëror për bisedime me Serbinë. Shtetësia e Kosovës dhe kualiteti i kësaj shtetësie nuk është përgjegjësi vetëm e partive në Qeveri, por e të gjitha partive politike në Kuvend. Në këtë rrafsh, unë e shoh rolin e PSD-së në funksion të zhbllokimit të situatës politike në raport me dialogun.

Koha.net: Si po funksionon opozita në përgjithësi, sipas jush?

Deda: Opozita nuk po funksionon. Pas formimit të Qeverisë, dhe ndarjes së VV-së në dy pjesë, kam besuar që katër partitë opozitare - LDK, VV, PSD dhe Alternativa me 57 deputetë do të mbërrinim që ta mbikëqyrim Qeverinë dhe mos t’i lejojmë të marrin vendime të këqija për vendin tonë. Si front i përbashkët opozitar jo vetëm që do të ofronim alternativë serioze përballë Qeverisë, po njëjtë edhe do ta ndalnim Thaçin prej aventurës së tij të ndarjes së Kosovës dhe do ta margjinalizonim atë, duke i marrë ne përgjegjësitë që na takojnë për shtetësinë e Kosovës në dialog me Serbinë. Por ajo çka kemi pa të gjithë është një luftë shumë më agresive ndërmjet partive opozitare, sidomos ndërmjet VV-së e PSD-së, e tash edhe LDK-së ndaj PSD-së, se sa e të gjithë opozitës ndaj Qeverisë, apo Thaçit. Ne jemi opozitë ndaj Qeverisë dhe Thaçit, por nuk guxojmë të jemi opozitë ndaj shtetit.

“Eksponentin kryesor të ndarjes së Kosovës na e bënë zyrtarin primar për dialog me Serbinë”

Koha.net: Z.Deda, a prisni të arrihet një marrëveshje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe sa jeni optimist se në bisedime nuk do të flitet për shkëmbim territoresh? Apo zgjidhja do të jetë pikërisht shkëmbimi i territoreve?

Deda: Aspak nuk jam optimist për kualitetin e marrëveshjes me Serbinë, pasi që SHBA dhe BE e humbën durimin me politikën e Kosovës dhe e “emëruan” Thaçin për përgjegjësin kryesor në dialog me Serbinë. Se kjo do të ndodhë e kanë ditur të gjitha partitë politike. Dhe ja tash ku jemi, eksponentin kryesor të ndarjes së Kosovës na e bënë zyrtarin primar për dialog me Serbinë, kryekëput pas humbjes së 2018 në zhurmë koti, dhe refuzimin e vetëdijshëm të partive politike në Kuvend për marrje të përgjegjësisë. T’ju rikujtoj që në zgjedhjet nacionale të qershorit 2017 qytetarët e Kosovës e ndanë në tre pjesë, pothuajse të barabarta, skenën politike - që unë e shihja me një dozë optimizmi sepse besoja që më në fund do të ringjallej politika e konsensusit politik brendashqiptar. E në fakt e gjitha degradoi në masë të atillë që asnjëri prej nesh nuk mund ta parashikonte para 18 muajve. Dhe tash e gjithë Kosova është peng e mbizotërimit në politikë të mentalitetit marksist-leninist që e refuzon konsensusin si vlerë, gjë e kultivuar me sukses nga PDK deri më 2017, e sot për fat të keq nga një pjesë e opozitës.

Një president që e refuzojnë dy të tretat në Kuvend s’mund të ketë rol thelbësor në dialog, thotë Deda

Koha.net: Si e shihni rolin e presidentit Hashim Thaçi në dialog? A ka ndryshuar diçka pas miratimit të Projektligjit për Dialogun?

Deda: Së pari, u pa edhe në Kuvend që Thaçi nuk e ka respektin e 2/3 të Kuvendit të Kosovës, dhe rrjedhimisht nuk e përfaqëson unitetin politik të Kosovës. Fjalimin e tij vjetor e dëgjuan vetëm 37 deputetë, që nuk ka ndodhur me asnjë president të shtetit më parë. Një president që e refuzojnë dy të tretat në Kuvend nuk mund të ketë rol thelbësor në dialog me Serbinë dhe në asnjë proces të rëndësishëm politik në vend. Ndërsa Ligji për Dialogun ende nuk është miratuar në Kuvend, pritet të miratohet në janar 2019. Rolin e Thaçit mund ta zbehë dhe kornizojë vetëm përfshirja sa më e gjerë opozitare në dialog me Serbinë, në të kundërtën ai do të mbetet figurë qendrore në dialog jo për shkak të fuqisë së tij politike, po për shkak të refuzimit opozitar që ta sposton Thaçin nga ky rol qendror.

Koha.net: Kur flasim për z.Thaçi, keni thënë se ‘e keni lutur’ Vetëvendosjen e LDK-në për të dalur në protesta për ta ndaluar çdo veprim të tij, por ato kanë refuzuar. Sa i vlerësoni serioze kërkesat e këtyre dy partive, si për ndalim të Thaçit ashtu edhe për rrëzim të Qeverisë?

Deda: Qeverinë e rrëzojmë me mocion mosbesimi me 61 deputetë, ndërsa Thaçin do ta ndalnim në Kuvend apo në rrugë. Deklarativisht të kërkojmë diçka por mos të veprojmë nuk është aspak serioze. Nuk mund të jetë prioritet “përkushtimi” ndaj politikës së kotë ditore në kohën kur po vendoset për shtetin tonë. Thaçin kemi mundur ta ndalim ose në Kuvend ose në rrugë, dhe kështu ta bënim atë dhe opsionin e ndarjes së Kosovës irrelevant. Por kjo, nënkuptonte marrje të përgjegjësisë bashkë me Qeverinë në dialog. Nuk e deshtën asnjërin opsion, dhe ja ku jemi, me imponim nga jashtë që Thaçi ta përfaqëson Kosovën në dialog. Nëse dikush mendon që tash apo më vonë mund ta ndalë procesin, le ta shikon Maqedoninë dhe mënyrën e përfundimit dhe legjitimimit të marrëveshjes me Greqinë atje. Historia nuk do t’ia falë asnjë lideri politik papërgjegjësinë historike që po e tregojnë tash, sepse lufta për pushtet nuk mund të jetë më e rëndësishme se sa lufta diplomatike e tashme për shtetin.

Koha.net: A besoni se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, dhe nëse po, si do të shkojë Alternativa?

Deda: Vendi është dashur të shkojë në zgjedhje shumë më herët gjatë vitit 2018. E tash jemi të bllokuar me betejën me Beogradin dhe me kalendarin dhe afatin e shteteve perëndimore për marrëveshjen finale me Serbinë. Besoj që pas përfundimit të dialogut me Serbinë duhet patjetër të shkojmë në zgjedhje. E atëherë do të kemi luksin e diskutimit për formën e pjesëmarrjes në zgjedhje.

Deda vitin 2019 e sheh edhe më të rëndë se 2018-ën

Koha.net: Flasim për një çështje tjetër. Si i vlerësoni ju deklaratat dhe qëndrimet e znj.Federica Mogherini në raport me Kosovën?

Deda: Zonja Mogherini e ka humbur kredibilitetin në Kosovë. Ajo haptas e përkrahë dhe e inkurajon zbatimin e projektit Thaçi-Vuçiq, projekt i Dobrica Qosiqit dhe Akademisë Serbe të Shkencës dhe Arteve. Gjithashtu është treguar e njëanshme duke e përkrahur Serbinë, apo duke mos e qortuar publikisht për politikën destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë tonë. Dhe, do ta mbajmë në kujtesë premtimin e dhënë në Kuvendin e Kosovës në emër të gjitha shteteve anëtare të BE-së për liberalizim të vizave nëse ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi.

Koha.net: Liberalizimi i vizave, mund të themi një prej temave më zhgënjyese në Kosovë - s’po ndodh. Kemi kryeministrin që prapë s’heq dorë nga fakti se qytetarët do të kenë liberalizim vizash sivjet. Së fundmi tha “Besoj se do ta marrim liberalizimin. Jo shumë larg, para vitit të ri”. Fundi i vitit vetëm se erdhi! Çka mund të na thoni për premtimet e njëpasnjëshme të kryeministrit dhe të politikanëve të tjerë për liberalizimin?

Deda: Në fakt edhe Komisioni Evropian edhe Parlamenti Evropian e kanë vërtetuar plotësimin e 95 kritereve për liberalizim të vizave, dhe e kanë përkrahur heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk mund të caktohen kritere shtesë, ashtu siç kanë kërkuar 2-3 shtete të BE-së që po e politizojnë pa asnjë arsye liberalizimin e vizave. Është jashtëzakonisht zhgënjyes fakti që BE nuk i përmbahet kontratës me Kosovën për heqje të vizave, dhe nuk e përmbushë obligimin e vet ndaj nesh. Neve na duhet thellim i besimit dhe kredibilitet shtesë nga BE e jo një situatë mosbesimi në të cilën jemi tash.

Koha.net: Meqë jemi në prag të Vitit të Ri, kjo intervistë me ju është e fundit për vitin 2018. Cili është mesazhi për qytetarët e Kosovës dhe për çka prisni për vitin 2019?

Deda: Qytetarëve i dëshiroj shëndet e mbarësi në Vitin e Ri 2019. Ndërsa, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm që viti që po vjen do të jetë shumë i rëndë dhe përcaktues për të ardhmen e vendit dhe të vetë qytetarëve. Secili qytetar është përgjegjës për kahjen që do e merr Kosova, dhe zhvillimet që na presin janë vitale për tu lënë vetëm në duart e politikanëve. Prandaj në vitin 2019 na duhet shumë më tepër angazhim qytetar për të ardhmen e vendit, se sa që kemi pasë në këto gati dy dekadat e fundit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme