Arbëri

VV: Dështoi politika e Jashtme

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë vazhduar edhe sot me kritika për politikën e jashtme të Kosovës, derisa kanë shtuar se kryeministri Haradinaj po bëhet qesharak kur po thotë se pret liberalizim të vizave në këtë fundvit.

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, në një konferencë për media ka folur për politikën e jashtme gjatë këtij viti.

Ajo tha se në vitin 2018, Kosova ka bërë shumë hapa mbrapa.

"Kemi kaluar një vit tepër të pazakontë në politikën e jashtme, me shumë probleme. Viti 2018 është një vit i gjatë gjatë të cilit Kosova ka bërë shumë hapa prapa. Konstatoj se viti 2018 përbën një regres të plotë, kaos institucional. Thanë se do të kemi njohje nga Serbia, anëtarësim në Interpol, premtuan edhe se këtë vit do të marrim statusin kandidat. 8 vjet dialog pa kushte me serbi, jo që nuk pat njohje, po edhe shtetësia u vu në rrezik. Duke hapur temën e korrigjimit të kufijve presidenti e ka thyer vendin sikur para pavarësisë", tha ajo, transmeton kp.

Ajo ka folur edhe për lajmet se shumë shtete e kanë tërhequr njohjen e tyre për Kosovën.

"U munduam të kuptojmë më shumë dje nga ministri nëse ka pasur tërheqje të njohjeve, përderisa Pacolli e mohoj që ka pasur tërheqje të njohjeve, zëvendëskryeministri Hoxhaj e ka konfirmuar", tha ajo.

Pacolli tha se Kosova nuk ka pasur asnjë anëtarësim gjatë këtij viti, dështim total.

"Edhe në shërbimin e jashtëm nuk ka përmirësime. Mbi 80 përqind të përfaqësuesve janë politik. Nuk ka politikë të jashtme, pa politikë të brendshme. Kjo qeveri dështoj edhe me liberalizimin e vizave. Asnjëherë populli i Kosovës nuk është informuar saktë. Kryeministri po bëhet qesharak kur po thotë se pret të ketë liberalizim të vizave në këtë fundvit, kurse po shkohet në pushim dimëror. Në muajin mars të këtij viti ju kishim paralajmëruar se nuk do të ketë liberalizim të vizave. Konfirmimi nga komisioneri Hahn i cili tha se nuk do të ketë liberalizim të vizave nuk i ka gjetur të painformuar ministren e Integrimeve", tha ajo.