Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mogherini kërkon nga Haradinaj që “me gjithë peshën e tij” ta mbështesë Thaçin

Foto: Këshilli i Evropës

Ka vazhduar këmbimi i letrave mes tre anëtarëve të Komisionit Evropian dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Përfaqësueja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, komisionerja për Tregti, Cecilia Malstrom, dhe komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn, të hënën i kanë dërguar edhe një letër kryeministrit të Kosovës.

Në atë letër ata shprehin keqardhjen e tyre të thellë për faktin se Kosova “nuk e ka marrë në kosideratë” ofertën që ka bërë BE-ja për të adresuar heqjen e taksave për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si një shenjë e vullnetit të mirë, dhe nuk ka emëruar personat për pjesëmarrje në bisedimet përgatitore tregtare me Serbinë me lehtësimin e Komisionit Evropian.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por duket se kjo letër më shumë ka qëllim që të bëjë presion për t’i dhënë mbështetje presidentit Thaçi që të arrijë një marrëveshje me presidentin e Serbisë, Vuçiq, duke mos përjashtuar as idenë e ndryshimit të kufijve, ide e cila ka shkaktuar ndarje në Kosovë, por edhe në BE.

“Ne shprehim mospajtim të thellë me vlerësimin tuaj se dialogu është i bllokuar. Krejt e kundërta, dialogu i zhvilluar nga dy presidentët ishte duke bërë progres të dukshëm. Ne kemi ndarë këtë vlerësim me liderët e BE-së në Këshillin Evropian të dhjetorit dhe kemi marrë mbështetje inkurajuese” thuhet në këtë letër.

Në fakt, siç ka njoftuar Koha Ditore më parë, duke u bazuar në burimet diplomatike, në takimin në fjalë të Këshillit Evropian nuk ka folur askush, pos presidentit të Qipros, Anastasidis, dhe përfaqësueses së lartë Mogherini. Presidenti Qipriot, shtet i cili krahas Spanjës më së fuqishmi kundërshton trajtimin e Kosovës me elemente shtetërore, kishte pranuar që këtë çështje po e shtron me kërkesë të presidentit të Serbisë, Vuçiq. Në po të njëjtin takim Mogherini, pos që kishte qortuar Kosovën, kishte thënë edhe se “Marrëveshja gjithëpërfshirëse është e kapshme”, por si problem ajo kishte përmendur “pengesat politike brenda Kosovës”, duke menduar në mospajtimet mes kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Thaçi.

Prandaj edhe në këtë letër Mogherini ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës që, duke shfrytëzuar edhe krijimin e ekipit të unitetit për dialog, të mbështesë përpjekjet e presidentit Thaçi. “Është tash esenciale që ju me gjithë peshën tuaj të mbështesni përpjekjet e Presidentit në dialog”.

Këta tre pjesëtarë të Komisionit Evropian kanë thënë se e kanë “marrë në dijeni” propozimin e Kosovës për Marrëveshjen Kornizë, që është miratuar me 13 dhjetorë. Ata e kanë quajtur këtë si një input të mirë për qëndrimin e Kosovës. “Ne e mirëpresim atë dhe e konsiderojmë si një input të qëndrimit të Kosovës, i cili do të prezantohet nga Presidenti në dialogun e tanishëm, i cili për BE-në është e vetmja kornizë reale për të adresuar normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit”.

Nesër në Bruksel përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini pret në një drekë pune liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit. Nga Kosova, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i zi ajo ka ftuar presidentët, ndërsa nga Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegvovina ka ftuar kryeministrat.