Avokati i Popullit në Shqipëri rreshtohet përkrah studentëve, kërkon përgjysmimin e tarifave të studimit Foto: Reuters

Avokati i Popullit në Shqipëri rreshtohet përkrah studentëve, kërkon përgjysmimin e tarifave të studimit

18 December 2018 09:30

Studentët do të dalin sot për të 14-n ditë në shesh, duke vijuar protestën e tyre kundër tarifave të larta të studimit dhe kushteve skandaloze në konvikte e fakultete.

E teksa “revolta” e tyre nuk shfaq premisa për t’u ndalur duke “paralizuar” kështu aktivitetin në auditorë, përkrah studentëve është rreshtuar edhe Avokati i Popullit.

Nëpërmjet një deklarate për mediat AP kërkon që të bëhet përgjysmimi i tarifave të studimit për kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë, ata me aftësi të kufizuara dhe invalidët, shkruan tch.

“Qysh prej nisjes së zbatimit të ligjit të ri të arsimit, institucioni i Avokatit të Popullit ka marrë ankesa të shumta nga studentë e familjarë të cilët kërkojnë lehtësimin e barrës së pagesave që kategori vulnerabël studentësh duhet të përballojnë për arsimimin e tyre. Vlen të theksohet se ligji i ri nuk ka marrë në konsideratë zbatimin e atyre politikave në fuqi, të cilat shërbejnë për lehtësimin e këtyre kategorive nga pagesat e tarifave. Për këtë arsye, rekomandime të njëpasnjëshme u janë dërguar institucioneve përgjegjëse arsimore nga ana e Avokatit të Popullit përgjatë gjithë viteve 2017 dhe 2018”, thuhet në deklaratë.

Sipas AP, “Ministria e Arsimit, Universiteti i Tiranës në pothuajse të gjithë fakultetet e tij, e po ashtu edhe Universiteti i Elbasanit kanë marrë në mënyrë të vazhdueshme rekomandime nga ana e Avokatit të Popullit me anë të të cilave është kërkuar zbatimi i politikave sociale që të bëjnë të mundur përjashtimin ose përgjysmimin e tarifave për këto kategori studentësh”.

Me tej, AP shton se këto rekomandime kanë marrë përgjigje sipërfaqësore nga ana e Institucioneve të Arsimit të Lartë.

“Pothuajse të gjitha kërkesat dhe rekomandimet që Avokati i Popullit ka dërguar pranë këtyre institucioneve gjatë dy viteve, kanë marrë përgjigje sipërfaqësore, të përgjithshme dhe pa asnjë angazhim konkret. Në disa raste, kërkesat tona janë injoruar plotësisht dhe vetëm në dy raste individuale është marrë në konsideratë ulja e tarifës për studentët ankues. Nuk ka pasur një qëndrim pozitiv nga ana e institucioneve për të miratuar një politikë të qëndrueshme në lidhje me këto grupe vulnerabël të shoqërisë në linjë me të drejtat e tyre të miratuara në ligjet specifike që rregullojnë të drejtat e tyre”, thekson AP.

Sipas AP, autoritetet arsimore duhet qe sa më parë të dëshmojnë me veprime konkrete vullnet për plotësimin e atyre rekomandimeve në lidhje me kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresat sociale në nevojë.

“Institucioni i Avokatit të Popullit i përkrah kërkesat e studentëve që kërkojnë akses dhe kushte më të mira për arsim, duke bërë thirrje që të rishikohet me përgjegjësi sociale i gjithë kuadri ligjor i sistemit tonë të edukimit, për të garantuar që e drejta për arsim cilësor për të gjithë qytetarët tanë pa asnjë dallim, të jetë përgjithmonë e garantuar”, përfundon njoftimi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme