Arbëri

Edhe dy të ftuar për t’u marrë në pyetje nga Specialja

Safet Syla e Remzi Shala janë të ftuarit e radhës për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Specializuar, raporton KTV.

Përderisa Syla, ish-pjesëtar i UÇK-së e TMK-së, ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, Shala ka treguar se do të refuzojë ta bëjë një gjë të tillë. Shala, që është duke u gjykuar në Kosovë për krime lufte, sipas avokatit të tij, nuk e sheh të arsyeshme të shkojë në Hagë dhe pretendon se nuk i ka bërë keq askujt.

Remzi Shala, ish-pjesëtar i njësitit special të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, është kosovari i radhës që është ftuar për t’u paraqitur më 17 janar para Prokurorisë së Specializuar.
Por, Shala ka bërë të ditur se nuk do të paraqitet vullnetarisht, nën arsyetimin se nuk e njeh këtë institucion, derisa ka bërë thirrje që edhe bashkëluftëtarët e tij të mos u përgjigjen thirrjeve.

Avokati Natal Bullakaj është duke e mbrojtur Shalën në gjykimin që po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ku akuzohet për krime lufte.

Shala, sipas Bullakajt, është ftuar në cilësinë e të dyshuarit, derisa ka treguar për arsyet e refuzimit të bashkëpunimit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, në një përgjigje dhënë Kohës Ditore, ka theksuar se bashkëpunimi me këtë institucion është obligim ligjor.

“Të gjitha subjektet dhe personat në Kosovë, përfshirë këtu autoritetet e Kosovës, janë të detyruar, sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), të bashkëpunojnë me ZPS dhe ta respektojnë pa vonesë cilëndo kërkesë për asistencë ose cilindo urdhër të dhënë nga ZPS”

Përveç Shalës, gjatë ditës është bërë e ditur se një ftesë për t’u paraqitur para Prokurorit të Specializuar e ka pranuar edhe Safet Syla, i cili, mes tjerash, ka qenë edhe kolonel i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut.

Medieve, Syla u ka thënë se do të merret në pyetje gjatë së mërkurës.

Syla, tash e disa vite, është në pozitën e Drejtorit të Zyrës për Çështje të Trashëgimisë së TMK-së, pjesë e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Me Sylën e Shalën, numri i personave që janë intervistuar ose ftuar nga Prokuroria e Specializuar ka shkuar në së paku 6, përfshirë Sami Lushtakun, Rrustem Mustafën e Sokol Dobrunën.