Arbëri

2018-ta, viti me më së shumti vdekje në vendin e punës

Sindikata e Sektorit Privat të Punëtorëve, në konferencën e fundvitit, vitin 2018 e ka paraqitur si vitin me më së shumti raste të vdekjeve në vendin e punës, raporton KTV.

Udhëheqësit e kësaj sindikate kritikuan Inspektoratin e Punës dhe Qeverinë që nuk ndërmarrin masa ndaj punëdhënësve.

23 punëtorë të ndërtimtarisë, vetëm gjatë këtij viti, kanë vdekur në vendin e tyre të punës.

Kjo shifër shënon një rekord.

Drejtues të Sindikatës së Sektorit Privat, këtë situatë e kanë vlerësuar si tejet shqetësuese.

Sipas Azemit, këto raste, ndër të tjera po ndodhin edhe për shkak të mungesës së disiplinës së vetë punëtorëve.

Këtu, siç ka thënë ai, ka gisht edhe Inspektorati i Punës i cili ka dështuar të kryejë punën e tij.

Gjatë kësaj konference, po ashtu, u tha se rreth 50% e punëtorëve të sektorit privat punojnë pa kontrata pune, pa siguri e një pjesë e tyre janë edhe nën moshë madhore.

Në këtë mënyrë, sipas kësaj sindikate, shteti po bën krim ndaj punëtorëve të këtij sektori.

Qeverisë iu kërkua të formojë një fond social, në mënyrë që ta ketë për mbështetje në rastet kur bëhen padrejtësi ndaj punëtorëve në vendin e punës.