09:49

Mustafa përkujton Xhavit Ahmetin

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përkujton Xhavit Ahmetin, në 22 vjetorin e vdekjes së tij.

Mustafa thotë se Xhavit Ahmeti ishte intelektual, personalitet me virtyte të larta politike dhe kulturore dhe politikan i mençur i cili në kohë të vështira të Kosovës dha kontribut të madh për arsimin shqip, shkencën dhe politikën.

“Vdekja e Xhavit Ahmetit, veprimtarit të dalluar që e donte shumë Kosovën, ka lënë zbrazëti në proceset e shtet-ndërtimit të Kosovës. Ai punoi shumë dhe dha gjithçka për Kosovën pa u dorëzuar në asnjë moment”, ka thënë Mustafa.

Xhavit Ahmeti humbi jetën tragjikisht më 21 nëntor 1996.

08:26

Përkujtohet Xhavit Ahmeti në 22 vjetorin e vdekjes

Kryesia e LDK-së sot në ora 11:00 do të bëjë homazhe te varri i veprimtarit Xhavit Ahmeti, në 22 vjetorin e vdekjes së tij.

Ahmeti pas dëbimit me dhunë nga objektet universitare të studentëve e mësimdhënësve shqiptarë, mbajti për studentët e Degës Fizikë-Kimi të SHLP të Prishtinës ligjëratat në lëndën Kimia e përgjithshme dhe inorganike. Krahas punës edukative-arsimore, ai është shquar me punën shkencore-hulumtuese.

Ai ka punuar në nëntë projekte shkencore-hulumtuese, ndërsa si absolvent ka qenë i angazhuar në projektin ndërkombëtar të UNDP. Ahmeti ka bërë një punë të frytshme shkencore. Me punimet dhe kumtesat e tij ai është paraqitur, si autor dhe koautor, në shumë revista, simpoziume dhe tubime shkencore. Ai ka botuar 24 punime shkencore, 27 kumtesa, në nëntë projekte ishte autor ose koautor, ndërsa mori pjesë edhe në përgatitjen e 7 teksteve shkollore që nga niveli i ulët e deri tek ai universitar. Punimet e tij shkencore-hulumtuese janë botuar në revista e buletine të ndryshme shkencore e profesionale. Një pjesë të rezultateve të tij shkencore Ahmeti i ka kumtuar në simpoziume, konferenca e kongrese me karakter ndërkombëtar, shkruan ksp.

Ahmeti ishte një veprimtar i dalluar në lëvizjen për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ai ishte një nga aktivistët e shquar për organizimin e Referendumit për pavarësi të Republikës së Kosovës më 1991 dhe u dënua për këtë shkak me dy muaj burg. Në zgjedhjet e para presidenciale e parlamentare të Kosovës ai u zgjodh deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës. Në Kuvendin II të LDK-së më 1994 ai u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Për disa vite Ahmeti ishte këshilltar për arsim i kryetarit të Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova dhe njëri nga organizatorët e sistemit të arsimit të pavarur të Kosovës.

Xhavit Ahmeti, ka humbur jetën tragjikisht më 21 nëntor 1996, në Beograd, në një udhëtim zyrtar për arsimin shqip dhe hapjen e shkollave shqipe.