Arbëri

BE-ja përfundon hetimet ndaj gjyqtarit të EULEX-it, por nuk bën publike përfundimet

Bashkimi Evropian ka përmbyllur tri hetime ndaj një gjykatësi britanik që ka shërbyer në kuadër të EULEX-it në Kosovë, por nuk i ka bërë publike përfundimet e hetimeve për të cilat gjykatësi thotë se janë hakmarrje pasi ai foli haptazi rreth keqpërdorimeve.

Një zëdhënës i BE-së ka konfirmuar të hënën se bordi disiplinor ka përfunduar tri hetime ndaj Malcolm Simmonsit, gjykatës në Kosovë në kuadër të EULEX-it që nga fillimi i tij më 2008 dhe kryegjykatës nga viti 2014 derisa nuk dha dorëheqje vitin e kaluar, raporton AP.

Ata nuk komentuan konkluzat e bordit, e as nuk dhanë detaje për pretendimet. Zëdhënësi refuzoi të identifikohet, duke përmendur ndjeshmërinë e hetimeve, transmeton Koha.net.


Problemet me EULEX-in


Simmons tha se pretendimet janë ngritur nga kolegët të cilët i ka denoncuar, dhe tha se hetimi, të cilin ai e quan të njëanshëm, ishte një përpjekje për të vënë dyshime ndaj informatave që ai i ka bërë publike.

Ish-gjyqtari britanik, që në një kohë u bë edhe kryetar i Gjyqtarëve të EULEX-it në Supreme, ka ikur nga Kosova në nëntor 2017.

Në letrën e dorëheqjes ai tha se po ikte nga një sistem i korruptuar, por vetë misioni evropian tha se po e hetonte për një seri ankesash ndaj tij.

Për më tepër, është raportuar se ai kurrë nuk e ka ushtruar punën e gjyqtarit në vendin e tij, por para Kosovës, po pa përvojë kishte shërbyer për disa vjet në Bosnjë.

Ai e kishte shpallur të pafajshëm Fatmir Limajn në rastin Kleçka, kurse pas ngritjes në detyrë kishte caktuar panelet e gjyqtarëve për raste të ndryshme.

Simmons ishte kryetar i trupit gjykues në rastin Kleçka, i cili kishte përfunduar me lirimin e Fatmir Limajt dhe të tjerëve.