Arbëri

AKA përgatit raportin e vetëvlerësimit që do t’i dërgohet ENQA-s dhe EQAR-it

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka diskutuar sot raportin e Vetëvlerësimit të agjencisë i cili do t’i dërgohet Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

ENQA muaj më parë ia ka zbritur statusin AKA-së nga anëtare “me të drejta të plota” në anëtare “nën shqyrtim” për shkak të shkarkimit të bordit të Agjencisë dhe ushtrueses së detyrës së drejtorit të këtij institucioni nga ministri, Shyqiri Bytyqi, raporton Koha Ditore.

Zëvëndësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri ka thënë se një nga objektivat që BE pret të realizohet është pavarësia e Agjencisë së Akreditimit.

“Ne shpresojmë se do të arrijmë disa objektiva si, pavarësi të Agjencisë së Akreditimit dhe ngritje të cilësisë në arsimin e lartë, fuqizim të arsimit. Për ne arsimi është prioritet”, është shprehur ai.

Kryetari i bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Gazmend Luboteni ka thënë se Agjencia e ka përgatitur raportin e vetëvlerësimit i cili do t’i dërgohet ENQA-s. Raporti sipas tij, do t’i dërgohet edhe Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) i cili në muajin shkurt e përjashtoi Agjencinë, për shkak të ndërhyrjeve politike.

“Këto anëtarësi në këto dy institucione ndërkombëtare janë jashtëzakonisht të rëndësishme sepse tregojnë se AKA është në përputhje me standardet evropiane për sigurimin e cilësisë. Nëse ne arrijmë dhe vazhdojmë anëtarësinë në këto dy institucione kjo do të jetë sinjal shumë pozitiv për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë që është objektiv parësor për ne”, është shprehur Luboteni.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Avni Gashi është zotuar se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ky institucion të punojë në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane në të gjitha proceset e saj.