Arbëri

Haradinaj i bën thirrje diasporës shqiptare ta duan atdheun

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se diaspora shqiptare ka dhënë gjithmonë një ndihmë të madhe për Kosovën, e iu bëri thirrje ta duan atdheun.

“Jam i nderuar që po takohem me ju, këtu në Austri, me shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të gjitha trevave. Sa herë që kemi pas punë dhe detyra, ju kemi pas në krah si vend dhe si atdhe”, tha Haradinaj në fjalën e tij, para bashkatdhetarëve në Austri, në fillim të vizitës zyrtare në këtë shtet, ku do të jetë pjesë e Forumit Ekonomik të Vjenës dhe do të zhvillojë edhe takime bilaterale.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në takimin me mërgatën shqiptare, e cila përfaqësohej nga shoqatat shqiptare të Austrisë, biznesmenë, mësues, mjekë, arkitektë, sportistë e personalitete të tjera, Haradinaj tha se edhe sot e ndjejmë dhe jemi bashkë për ato që janë punë të atdheut.

“Jetojmë një jetë plurale, jetë të partive, të ideve dhe të vizioneve të ndryshme, por një gjë nuk ndryshon gjuha dhe gjaku ynë dhe ajo prej nga vijmë, jemi ata që jemi. Jemi krenarë me veten, jemi popull që vetes dhe kontinentit e botës nuk i kemi sjellë të këqija”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Austria historikisht i ka qëndruar në krah Kosovës, mbështetje kjo që neve na ka ndihmuar me mbet në të drejtën tonë.

“Vendi nga keni ardhur nuk ndryshojnë, ju mund të mos e doni njërin apo tjetrin politikan, por atdheun tuaj duhet ta doni”, ishte thirrja e kryeministrit për bashkatdhetarët në Austri.

“Por, një gjë ju siguroj se punët e Kosovës kemi me i kryer. Ato punë janë të shumta, kemi me e përmbyllë arkitekturën e sigurisë, të mos e lëmë Kosovën pa krejt çka i duhet me qenë e sigurt, Polici, AKI, Inteligjencë, Gjyqësor efikas, Ushtri, Zjarrfikësit, Doganat, pra e gjithë korniza e sigurisë, që Kosova me funksionu si shtet”, ka thënë ai.

Më tej, Haradinaj i ka vlerësuar nismat nga diaspora duke thënë se ato do të kontribuojnë edhe në zhvillimin ekonomik dhe të mirëqenies së qytetarëve tanë duke premtuar angazhimin dhe zotimin e tij që kërkesat e diasporës të marrin vëmendjen e duhur të Qeverisë së Kosovës.

Pas fjalës së tij, kryeministri ka bashkëbiseduar me bashkatdhetarët, duke u përgjigjur në shumë pyetje.

Hapja e një qendre kulturore të Kosovës në Vjenë, hapja e një kanali televiziv dedikuar mërgatës shqiptare, shtimi i numrit të mësuesve të gjuhës shqipe në shkollat austriake, lehtësira të tjera burokratike, ishin disa nga kërkesat që kishin mërgata shqiptare, për të cilat kryeministri tha se Qeveria e Kosovës do të angazhohet që të ofrojë ndihmën e nevojshme.

Takimi i Haradinajt me diasporën shqiptare në Austri u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare në këtë shtet, ku po zhvillohet edhe Forumi Ekonomik i Vjenës dhe ku Kosova po përfaqësohet nga Haradinaj.