“Pastrimi i parave e korrupsioni po e dëmtojnë zhvillimin ekonomik”

16 nëntor 2018 19:21

Korrupsioni dhe pastrimi i parave vazhdojnë të jenë sfidë për institucionet e vendit.

Në konferencën e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Këshilli i Evropës, në kuadër të projektit të përbashkët kundër krimit ekonomik, u tha se këto dy dukuri po e dëmtojnë zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e shtetit të Kosovës.

Ata porositën autoritetet kosovare që të punojnë për zbatueshmërinë e ligjeve.

Libor Chlad nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se është në duart e autoriteteve kosovare krijimi i shtetit ligjor.

“Qartazi ka disa sfida dhe ne po shikojmë në mënyrë progresive duke integruar Kosovën në struktura relevante ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’iu mbështesë juve në këto përpjekje. Çkado qoftë që është në letër nëse nuk është e zbatueshme dhe e zbatuar nga agjencitë e zbatimit të ligjit në praktik, kjo është një fushë ku ne duhet që të rrisim përpjekjet tona dhe të sigurohemi që institucionet e zbatimit të ligjit, Bashkimi Evropian që është duke i mbështetur për shumë vite me radhë.....Përgjegjësia për shtetin dhe zbatimin e ligjit për një shtet ligjor pra dhe të gjitha fushat tjera të cilat janë relevante për jetën e njerëzve në Kosovë është në duart e autoriteteve të Kosovës”, ka thënë Chlad.

Kurse, Ministri i Financave, Bedri Hamza, deklaroi se pastrimi i parave po e dëmton shumë zhvillimin ekonomik të vendit, por shtoi se institucionet po punojnë maksimalisht në luftimin e krimit ekonomik.

“Nuk do koment që pastrimi i parave dëmton zhvillimin ekonomik, duke dobësuar shtetin e së drejtës”, ka thënë Hamza.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, u shpreh se përmes një reformimi të thellë ligjor, prokurorët dhe hetuesit e Kosovës do të kenë mundësi që të kenë instrumente të përshtatshme për luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e pastrimit të parave.

“Republika e Kosovës ka arritur në një stad ku kemi një politikë mjaft të avancuar dhe shpresoj që me një angazhim edhe të timin por edhe të kryeministrit”, ka thënë Tahiri.

Në fund të kësaj konference u publikua raporti për përputhshmërinë e Kosovës me standardet evropiane dhe ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme