Arbëri

Haradinaj: Nëse hyjmë në rend dite në agjendën e BE-së, vizat hiqen

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria mund të rrëzohet, por jo për shkak se ka marrë një vendim prej të cilit, siç tha ai, “është hidhëruar Lista Serbe”.

Pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, Haradinaj u ka thënë gazetarëve se nuk sheh ndonjë mundësi për zgjedhje të jashtëzakonshme, meqë siç tha ai, ka çështje të rëndësishme në të cilat po punohet siç janë anëtarësimi në Interpol dhe liberalizimi i vizave.

E për këtë të fundit, kryeministri i Kosovës tha se procesi është politizuar dhe dramatizuar kohët e fundit kur edhe është afruar vendimmarrja.

Kryeministri njoftoi se këtë javë do të udhëtojë për në Vjenë ku pret të takohet me kancelarin austriak Sebastian Kurz, të cilit, kryeministri tha se do t’i flasë prapë për liberalizimin e vizave dhe mundësinë që Kosova të futet në rend dite.

“Do të jem në Vjenë në fund të kësaj jave. Do ta kem mundësinë edhe njëherë të bisedoj me kancelarin Kurz, sepse në agjendë na fut Austria sepse është kryesuese e BE-së, por do të vazhdojmë të gjithë - ministrja është në punë, kryeparlamentari në punë, secili, presidenti, ministri i Jashtëm, të gjithë jemi në punë që të hyjmë në rend dite. Është dramatizuar [kjo çështje], ka edhe emocione ka edhe tensione, është politizuar sepse është temë e tillë, por kur vjen kah vendimi, dramatizohen gjërat. Nuk dua të dal më optimist se që duhet, por besoj që kemi mundësi reale të hyjmë në rend dite, e nëse hyjmë, nuk mund të ketë votë negative sepse e dimë që e kemi votën për liberalizim”, tha Haradinaj, raporton Kosovapress.

Tutje, Haradinaj tha se nuk është në agjendë tema për rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ai edhe një herë ka përsëritur se ideja e korrigjimit të kufijve është e vdekur.

“Qeveria mund të bie, por nuk e shoh Qeverinë që rrëzohet për shkak se ka marrë një vendim të caktuar dhe është hidhëruar në këtë rast Lista Serbe, edhe për faktin se ne e kemi respektuar Listën Serbe dhe ata janë pjesë e Kosovës, dhe ky është një kontest mes Kosovës dhe Serbisë dhe jo mes Kosovës dhe Listës Serbe. Nuk ka kuptim të përzihen temat”, ka thënë Haradinaj, ndërsa ka shtuar se nuk e shqetëson fakti nëse shkohet në zgjedhje.

Ndërkaq, për temën e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, Haradinaj tha se kjo mund të shfrytëzohet pastaj si formë e presionit, “që ne të kënaqemi pastaj me një ‘Zajednicë’ bukur të madhe”.

“Dihet çka vjen pastaj kur kalon kjo vala e kësaj idesë me kufij, me territore, me toka, atëherë do të jetë në pushtet të brendshëm, edhe për atë Kushtetuta na obligon, për një pushtet të tretë nuk lejon, por lejon të krijohet një asociacion kushtetues siç e kemi një. Ka vdekur ajo ide, e kam thënë disa herë”, tha Haradinaj.

Kreu i ekzekutivit tha se stabiliteti dhe ruajtja e të arriturave është interes i të gjithëve, edhe bashkësisë ndërkombëtare, që siç tha Haradinaj disa prej tyre e kanë thënë hapur se janë kundër ideve të tilla, për ndryshim, shkëmbim e korrigjim të kufijve.

E presidenti që është ai i cili e ka prezantuar idenë e korrigjimit të kufijve që Haradinaj po e quan të vdekur, nuk e ka takuar shefin e ekzekutivit pas takimeve që i ka zhvilluar në Bruksel dhe Paris.

U raportua vetëm për takime me kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin dhe zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj.

Por, Haradinaj tha se nuk ndjehet i anashkaluar për këtë.

“Nuk e di a ka çka të bisedohet, nëse ka diçka të re që është me rëndësi do të ishte mirë të bisedojmë, nëse nuk ka, nuk shoh ndonjë mungesë të shkëmbimit të informatave. Kam pas bisedë me zëvendëskryeministrin Pacolli dje, posa është kthyer prej Parisit, jam takuar me Veselin, Limajn”, tha ai.