Hoti: S’kemi besuar se një përfaqësues i UÇK-së e vë në dyshim shtetësinë e Kosovës

Hoti: S’kemi besuar se një përfaqësues i UÇK-së e vë në dyshim shtetësinë e Kosovës

31 October 2018 18:00

Avdullah Hoti, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se s’kanë menduar kurrë që një lider i rëndësishëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e vë në dyshim ekzistencën e shtetit duke iu referuar presidentit Hashim Thaçi dhe idesë së tij për “korrigjim kufijsh me Serbinë”.

Në Express Intervistën në KTV ai ka deklaruar se nuk po e kupton përse koalicioni qeverisës pajtohet me pikën e propozuar nga LDK-ja për rezolutën për bisedimet me Serbinë, por nuk po e voton atë.

I pyetur lidhur me votën e LDK-së në emërimin e Thaçit president, Hoti ka thënë se kjo nuk është relevante për situatën aktuale në vend.

“Ne kemi pas marrëveshje të koalicionit. Ne e patëm qeverinë dhe ata presidencën. Gjërat kanë ndryshuar dhe askush realisht s’do ta merrte me mend se një përfaqësues kyç i UÇK-së bëhet më 2018 përfaqësuesi kryesor i politikave serbe dhe ruse për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Por kjo është histori tash dhe zgjedhja e tij është histori. Tash duhet të bëhemi bashkë që kjo kauzë të hiqet tash nga tavolina”, ka thënë ai.

Sot LDK-ja propozoi rezolutë me vetëm një pikë: “Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe as Presidenti i Kosovës, e askush tjetër, nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës”.

Për këtë rezolutë, Hoti ka thënë se kanë pasur optimizëm duke parë se pozita shkoi në Kuvend. Ka shtuar se pret që kjo rezolutë në fund të votohet.

Sa i përket propozimeve nga partitë e pushtetit, Hoti ka thënë se “le ta votojë pozita dhe më pas si opozitë do të shohim çfarë kontributi mund të japim”.

Për propozimin për Ekip Uniteti, Hoti ka thënë se tash “nuk jemi më në 2005-2006 në negociatat e Vjenës kur duhej ekip uniteti për të arritur të bëjmë shtetin e Kosovës. Tani kemi shtetin. Jemi anëtarë në disa organizata. Kemi marrëveshjen e MSA-së me BE-në. Kemi probleme me normalizimin me Serbinë. Duam të heqet ajo pikë nga tavolina”.

Për mocionin për mosbesim të qeverisë, Hoti ka thënë se po presin edhe tri vota, por ka shtuar se “në një republikë parlamentare si Kosova qeveria duhet vetë të shohë sa ka mbështetje duke e kërkuar votëbesimin”.

Për Asociacionin e Komunave me Shumicës Serbe, Hoti ka thënë se qeverisja e LDK-së ishte siguruar që gjithçka të jetë brenda juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme