Hamza thotë se numri i auditorëve të brendshëm është rritur për 30 %

Hamza thotë se numri i auditorëve të brendshëm është rritur për 30 %

25 October 2018 13:14

Seanca e sotme vazhdoi me shqyrtimin e raportit vjetor të Qeverisë për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2017, ku përfaqësues të Qeverisë thanë se ka përmirësime, ndërsa, deputetët thanë se ndryshimet janë shumë të vogla dhe patën disa kërkesa për Ministrinë e Financave.

Ministri Hamza duke paraqitur raportin vjetor të Qeverisë për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2017, para deputetëve, ka thënë se informatat që dalin nga pyetësori vetvlerësues, monitorimi dhe analizat e bëra, është një përmirësim në të gjitha komponentët e menaxhimit të kontrollit të brendshëm.

“Numri i auditorëve të brendshëm është rritur për 30 % apo nga 98 në 128. Njësitë e auditimit të brendshëm gjatë vitit 2017 kanë kryer 497 auditime të brendshme që krahasuar me vitin 2016 kemi një rritje të auditimit të kryera nga 492 nga 497. Çështjet për adresim në të ardhmen lidhur me menaxhimin financiar e kontrolli janë si në vijim; ka nevojë për përmirësim në procesin e planifikimit dhe ekzekutimit të buxhetit, rritjen e efikasitetin e proceseve që lidhen prokurimin publik, rekrutimin e stafit të brendshëm për auditim të brendshëm, mirëmbajtjen e regjistrit të pasurisë, raportimin dhe arkëtimin e të hyrave, nxjerrjen e procedurave për parregullsi, avancimin e proceseve që lidhen me teknologjinë informative, si dhe nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme që standardizojnë proceset e brendshëm te secila organizatë buxhetore“, ka thënë ai, raporton KosovaPress.

Mergim Lushtaku, në emër të komisionit të Kuvendit, sha disa rekomandime për Ministrinë e Financave, e cila duhet të vazhdojë me programin kombëtar për certifikimin e auditorëve të brendshëm dhe të mbajë trajnime për punëtorët që janë certifikuar por që nuk janë duke punuar si auditor.

“Të kompletohet njësia e auditorit të brendshëm brenda kuvendit nga një i punësuar në së paku tre të punësuar. Ministria e Financave të përkrah kërkesat e institucioneve lidhur me rritjen e stafit për pozitat e auditorit të brendshëm, në veçanti për ato institucione që ende nuk kanë plotësuar pozitat për auditor të brendshëm”, tha ai.

Kurse, deputeti i PSD-së, Faton Topalli, tha se ka vlerësim të mirë të vetvetes të organizatave buxhetore nuk ka ndryshim pozitiv nga viti 2016 në vitin 2017.

“Nëse e krahasojmë vitin 2016 me vitin 2017 ndryshimi del shumë i vogël, kështu p.sh mjedisi i kontrollit në vitin 2016 ka qenë 2.62 %,në vitin 2017 , 2.57, notim maksimale është 3, që i bie se kemi një ulje në krahasim me vitin 2016 për 0.51 %. Sa i përket menaxhimit të rrezikuat gjithashtu kemi një ulje prej 0.6 % në krahasim për vitin 2016”, tha ai.

Gjithashtu janë shqyrtuar edhe disa projektligje tjera siç është ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kinematografinë, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, si dhe projektligje tjera.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme