Ende s’ka raport ndërkombëtar për vdekjen e Deharit, babai i tij i bindur se e njëjta dorë ia ka vrarë dy djemtë

Ende s’ka raport ndërkombëtar për vdekjen e Deharit, babai i tij i bindur se e njëjta dorë ia ka vrarë dy djemtë

20 tetor 2018 09:46

Janë bërë pothuajse dy vite që kur ndërroi jetë aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari. Në ditën tragjike ai ishte në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej nën dyshimin për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Ndonëse raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë e ka vlerësuar si vetëvrasje, familjarët me këtë konstatim nuk u pajtuan dhe prandaj kërkuan hetim të pavarur ndërkombëtar, i cili tani po zhvillohet në Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Hetimet për rastin janë duke u zhvilluar ende dhe deri më tani ky institut nuk ka dal me ndonjë rezultat konkret për shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit.

Babai i të ndjerit Astritit, Avni Dehari për KosovaPress bën të ditur se hetimet po vazhdojnë dhe se hetuesit ndërkombëtar i kanë pranuar të gjithë materialin e nevojshëm për hetim nga organet hetimore në Kosovë.

Ai thotë se deklaratat kontradiktore të prokurorëve dhe gjykatësve për vdekjen e djalit të tyre, i kanë shtyrë ata që të dyshojnë edhe në raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë.

Deklaron se do e pranojnë juridikisht çfarëdo rezultati që vjen nga hetuesit ndërkombëtar, por shprehet i bindur se e njëjta dorë i ka vrarë të dy djemtë e tyre, Arbnor dhe Astrit Deharin.

“Rezultat, afat nuk kemi për arsye se ata i kanë marrë materialet, materiali është mjaftë voluminoz janë mijëra faqe, na kanë thënë se punojnë me gjithë mundësitë që kanë, me zell me vrull, mirëpo afat të caktuar nuk ka besoj se posa ta kryejnë punën do u hyjnë hetimeve të pavarura. Natyrisht që ne nuk jemi më të fortë se pushteti që të bëjmë hetime që t’i nxjerrim në shesh dyshimet tona dhe të shohim se çfarë ka ndodhur, por e dimë se e njëjta dorë e ka vrarë edhe Arbnorin edhe Astritin, tash kemi kërkuar hetues ndërkombëtar varësisht prej rezultatit juridikisht ne e pranojmë, por ne e dimë se që të dy janë të vrarë“, thotë Dehari.

Rezultate konkrete për hetimet në Zvicër nuk ka pranuar as avokati i rastit të Astrit Deharit, Tomë Gashi i cili thotë se janë duke pritur një përgjigje hetimore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë.

Duke u shprehur i bindur se Astrit Dehari është vrarë, Gashi në një prononcim për Kosovapress thotë se rasti nuk ka marrë epilog ende, ngase sipas tij, ishte i inskenuar.

“Deri më tani nuk ka rezultate konkrete dhe nuk kemi një përfundim të hetimeve të pavarura apo të ekspertizave të cilat sigurisht që familja Dehari do t’u besoj, në aspektin juridik. Pas vrasjes së Astrit Deharit kemi pasur një situatë jashtëzakonisht katastrofale në aspektin juridik, kemi pasur deklarime kundërthënëse në mes të Policisë, Prokurorisë dhe zyrtarëve të tjerë shtetëror apo ligjor që janë në Kosovë dhe kemi pasur edhe ekspertiza me dy kuptimësi. Vetë në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë bërë dy ekspertiza të cilat faktikisht njëra tjetrën e eliminojnë nëse lexohen në mënyrën e duhur dhe deri më tani ne nuk kemi njohuri të tillë, kështu që për të eliminuar këto paqartësi juridike më në fund është aprovuar kërkesa e familjes Dehari që rasti të dërgohet në Zvicër .Ky rast që është pretenduar se do përfundoj shpejt në aspektin juridik e shihni se sa vështirësi ka pasur për shkak të ndjeshmërisë së këtij rasti, sepse Astrit Dehari është vrarë në vendin ku është dashur të jetë krejtësisht i sigurt e që ka qenë Qendra e Paraburgimit në Prizren për një rast të inskenuar kundër tij”, shprehet Gashi.

Për dinamikën e hetimeve që po zhvillohen në Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore për rastin e Astrit Deharit organet e drejtësisë në Kosovë pranojnë se nuk kanë asnjë informacion të ri për ecurinë hetimore, por thonë që këto hetime i kanë ndihmuar.

“Ministria e Drejtësisë ka dhënë gjithë ndihmën e nevojshme institucionale dhe financiare për realizimin e ekspertizës në institutin zviceran, që ka qenë kërkesë e vetë familjes Dehari. Rasti është përcjell nga Prokuroria Themelore e Prizrenit tek ky Institut, dhe institucionet vendore kanë siguruar çdo provë që është kërkuar nga ta. Presim rezultatet e ekspertizës”, deklaron Ministria e Drejtësisë.

Ndërsa, Prokuroria Themelore e Prizrenit për KosovaPress ka konfirmuar se rasti i aktivistit të Vetëvendosjes është duke u trajtuar në Zvicër.

“Prokuroria Themelore në Prizren, konfirmon se rasti i A.D., është duke u trajtuar ende në Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. Për nevoja të ekspertizës, përkatësisht hetimit, ne u kemi dërguar në vazhdimësi dokumente shtesë sipas kërkesës së tyre, e që lidhen me rastin në fjalë. Andaj, ju njoftojmë se akoma nuk kemi pranuar rezultatet e ekspertizës nga ana e Institutit në fjalë”, thuhet në shkresën e këtij institucioni.

E në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit nuk do e lënë të heshtet, ndonëse sipas tyre, PDK-në se po tenton të hesht jo vetëm vdekjen e Deharit, por edhe rastin e gjykimit të aktivistëve të Vetëvendosjes për terrorizëm.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi thotë se nuk kanë asnjë informacion për ecurinë e hetimeve në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë.

“Sa i përket rastit të Astrit Deharit ne nuk kemi ndonjë informacion më të afërt vetëm e dimë se familja është e informuar se Instituti i Mjekësisë Ligjore të cilin e ka përzgjedhur familja është duke punuar siç duket i ka marr materialet e përkthyera. PDK-ja ka gisht në këtë drejtim dhe Qeveria e atëhershme sepse tani e 10 vite i kanë nën kontroll të plotë AKI-në, i kanë nën kontroll të plotë Policinë përmes Shpend Maxhunit të cilin këtu e kanë pasur drejtor tash e quan drejtor të AKI-së, edhe ministrinë e Drejtësisë. Natyrisht që më së tepërmi janë të interesuar këta pjesëtarët e PDK-së krytë e PDK-së, kreu i PDK-së që ky rast të heshtet , domethënë të heshtet rasti i gjykimit edhe i arrestimit të aktivistëve të Vetëvendosjes për terrorizëm, por edhe rasti i Astrit Deharit, mirëpo sigurisht ne nuk do ta lëmë këtë në heshtje”, thotë ai.

Astrit Dehari ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, u arrestua më 30 gusht të vitit 2016, i dyshuar se bashkë me aktivistë të tjerë sulmuan Kuvendin e Kosovës. Ai vdiq më 5 nëntor të po të njëjtit vit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit më 18 nëntor 2016 doli në përfundim se Dehari ka bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit.

Në tetorin e vitit të kaluar Qeveria e Kosovës me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri ka ndarë mjetet financiare në shumën prej 50 mijë eurove për ekspertizë shtesë jashtë vendit në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme