Vendime të ndryshme kanë marrë dy komisione parlamentare lidhur me importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet, raporton KTV.
Derisa Komisioni për Zhvillim Ekonomik i përbërë me shumicë nga pozita votoi në favor të ndryshimeve të Ligjit për automjetet, Komisioni për Buxhet dhe Financa i udhëhequr nga opozita, votoi kundër këtij projektligji.
Ky komision u ka rekomanduar deputetëve të mos i votojnë këto ndryshime.Kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku ka thënë se nëse është qëllimi që t’u ndihmohet qytetarëve, ka mënyra të tjera për ta bërë një gjë të tillë.
Rreth 17 milionë euro më pak ka inkasuar të hyra Dogana nga taksat e veturave të importuara prej kur ka hyrë në fuqi Ligji për automjete, i cili nuk lejon hyrjen në Kosovë të veturave më të vjetra se 10 vjet.
Sipas statistikave të Doganës, importi i automjeteve këtë vit ka rënie nga 20 mijë në 13 mijë e 638.
Derisa një vit më parë, kur nuk kishte kufizime të vjetërsisë, numri i veturave të importuara ishte 37 mijë e 582, që sipas këtij institucioni, ishte një rekord i ri.